Sot do të mbahet seanca konstituive e Kuvendit.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ftuar seancën konstituive të martën pas konsultimit me shumicën e partive parlamentare të përfaqësuara në Kuvend dhe duke pasur parasysh urgjencën për krijimin e institucioneve, miratimin e buxhetit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare.
Vendimi është marrë në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi.
Seanca pritet të shënojë fillimin e legjislaturës së re dhe të hapë rrugën për formimin e Qeverisë së re.
Seanca fillimisht u ftua për në orën 12:00, por pas takimit që mbajti Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha me përfaqësuesit e partive politike lidhur me përgatitjet për seancën konstituive, u vendos që seanca të shtyhet për në ora 17:00, shkaku i seancës në Hagë, ku mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së do të jap deklaratën përfundimtare.
Lëvizja Vetëvendosje fituesja e zgjedhjeve të 28 dhjetorit, thotë se votat i kanë për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë.
“LVV ka 57 vota duke llogaritur edhe me partnerë të koalicionit të partive minoriteteve jo-serbe, besoj që 65-66 vota do të jenë të mjaftueshme për themelimin e institucioneve. I kemi votat, LVV së bashku me partnerët e koalicionit që kanë qenë në qeverinë e kaluar dhe besoj që numrat janë të mjaftueshëm për zgjedhjen e qeverisë së re të Republikës së Kosovës”, ka thënë Enver Haliti nga Lëvizja Vetëvendosje në një prononcim për median.
Votat e mjaftueshme për Qeverinë Kurti III
Analisti Gani Qarri, thotë se Kurtit i mjaftojnë votat për formimin e qeverisë pa komplikime e shtyrje të reja dhe pa vonesa të mëtejme.

Ai gjendjen e krijuar e sheh solide, shumë të mirë dhe kjo për faktin që sipas tij, Kosovën e presin shumë punë dhe obligime të papërfunduara të cilat duhet kryer me nxitim, duke filluar nga votimi i buxhetit, marrëveshjen me BE-në dhe atë me Bankën ndërkombëtare etj.
“Pas certifikimit të rezultateve zgjedhore nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe pranimit të shkresës zyrtare të KQZ-së nga Presidentja, tanimë i është hapur rruga krijimit të institucioneve të reja, ndaj dhe presidentja e vendit dr. Vjosa Osmani, duke pasur parasysh vonesat nga ngërçi në legjislaturën e kaluar, ka thirrur menjëherë seancën e parë parlamentare, e cila do të mbahet më datën 11 shkurt, për konstituimin e Kuvendit të dalë nga legjislatura e dhjetë, e votimeve të 28 dhjetorit 2025. E duke qenë se Sovrani nuk ka lënë më hapësirë, për përsëritjen e insinuatave politike si në legjislaturën e kaluar dhe më 28 dhjetor Lëvizja Vetëvendosje ka fituar mbi 51.10 % të votave, si dhe 57 mandate parlamentare, z. Albin Kurti i mjaftojnë votat e minoriteteve jo-serbe, për të krijuar Qeverinë Kurti III, pa komplikime e shtyrje të reja dhe pa vonesa të mëtejme. Gjendja e krijuar solide, është shumë e mirë, për vet faktin se Kosovën e presin shumë punë dhe obligime të papërfunduara, të cilat duhet kryer me nxitim, duke filluar me votimin e buxhetit të shtetit, marrëveshjen me BE-në dhe atë me Bankën ndërkombëtare etj., në mënyrë që të mos dështojnë afatet e parapara, për miratimin e vendimeve të nevojshme në Kuvend dhe që ato të hyjnë në fuqi e të jenë valide në kohë optimale për shfrytëzim”, shprehet Qarri.
Sipas Qarrit, LVV tanimë nuk ka nevojë të domosdoshme dakordimin me partitë opozitare për formimin e qeverisë dhe beson që përpos konstituimit të Kuvendit, të mërkurën të votohet edhe Qeveria Kurti III.
“Rezultati i zgjedhjeve të 28 dhjetorit, ka ndryshuar tërësisht atmosferën politike në vend si dhe ka zbutur dallimet e njohura ndërpartiake në Kosovë, kështu që megjithëse LVV-s, tanimë nuk i duhet medoemos dakordimi me partitë opozitare, besojë se opozita ka marrë mend nga pësimi e do të tregohet konstruktive, edhe për faktin se nuk posedon më numra as fuqi politike, për lojëra të tjera apo përsëritjen e ngërçit politik dhe bllokadave të orkestruara kundër krijimit të Qeverisë dhe të institucioneve të reja, legjitime shtetërore, kështu që siç shprehet edhe vet z.Glauk Konjufca me 11 shkurt, përpos konstituimit të Kuvendit, pritet të votohet edhe Qeveria Kurti III, dhe që nga dita e parë të nisë dhe vazhdojë çdo gjë për së mbari, deri në fund të mandatit të ri 4 vjeçar. Nga mbledhja përgatitore e grupeve parlamentare merret vesh, po ashtu se do të respektohet edhe vendimi i Kushtetutës, akt mjaft pozitiv ngase vendi ka kaluar mjaft kohë pa institucione dhe nuk guxon të lejohen insinuata të reja me Kuvendin, ndaj dhe është vepruar drejt dhe arsyeshëm, me dakordimin për modalitetin e votimit në pako, për të 5 nënkryetarët e Kuvendit, si zgjidhja më praktike, për tejkalimin e kësaj problematike, megjithëse siç dihet, dora e zgjatur e Serbisë në Kosovë, e ashtuquajtura “listë serbe” nuk posedon të drejtën ligjore as nuk e ka fuqinë e vetos, që ta imponojë të propozuarin e saj, edhe nëse ai nuk i merr votat dhe nuk është i dëshiruar nga shumica shqiptare, për postin e nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës”, shprehet analisti.
Sipas Qarrit, ka siguri të mjaftueshme se procesi i presidentit nuk do të rrezikohet dhe do të jetë brenda afatit kushtetues.
“ Kështu që pasi KQZ ka bërë certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të 28 dhjetorit dhe i ka hapur rrugën krijimit të institucioneve të reja, edhe presidentja e vendit zonja dr. Vjosa Osmani duke pasur siguri të mjaftueshme, se procesi nuk do të rrezikohet nga mospajtimet e njohura politike as çështje të pazgjidhura kushtetuese dhe se konstituimi i Kuvendit të Kosovës, do të jetë i suksesshëm, ka caktuar seancën e parë parlamentare më 11 shkurt, në mënyrë që brenda afatit kushtetues të formohet edhe Qeveria dhe institucionet e reja shtetërore të Republikës së Kosovës të legjislaturës së dhjetë. Seanca për konstituimin e Kuvendit është paraparë të hap punimet në ora 17, e duke qenë se në mbledhjen përgatitore të Kuvendit më 10 shkurt, përfaqësuesit e të gjitha subjekteve politike parlamentare, janë marrë vesh që përveç zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit me shumicën e votave të deputetëve, votimi për të 5 nënkryetarët të zhvillohet në pako, nuk pritet të shfaqen probleme, as të paraqiten mospajtime të ngjashme si në legjislaturën e kaluar, ndaj pas një periudhe të trazuar gati njëvjeçare, seanca parlamentare e 11 shkurtit, nga qytetarët dhe populli i Kosovës shihet edhe si test i parë i stabilitetit politik në vend, si dhe garanci për qëndrueshmërinë e palëkundur të kësaj legjislature për gjatë tërë mandatit dhe për katër vitet e ardhshme të cilës i dëshirojmë edhe ne suksese të pafund dhe arritje të njëpasnjëshme për fatin e mirë të vendit dhe të mirën e përgjithshme të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, përfundon Qarri.
Sipas njoftimit të Kuvendit, pika e parë e rendit të ditës do të jetë formimi i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve, për të vijuar me betimin e deputetëve. Pastaj do të procedohet me zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit dhe më pas të nënkryetarëve.
Seanca do të drejtohet nga deputeti më i vjetër, Avni Dehari (LVV), i ndihmuar nga deputetja më e re, Fatma Taçi (KDTP).
Aty përmendet edhe dakordimi për votimin e nënkryetarëve në pako, ku thuhet se kjo u bë me propozim të përfaqësuesve të komuniteteve jo shumicë.
Basha dhe partitë janë dakorduar edhe që konform Rregullores dhe praktikave të mëhershme, Lëvizja Vetëvendosje, të ulet në ulëset e mesit të sallës plenare. Në anën e djathtë të sallës, nga perspektiva e kryesuesit të seancës, do të ulet subjekti Partia Demokratike e Kosovës, ndërsa në anën e majtë Lidhja Demokratike e Kosovës.
“Në ulëset e tjera do të ulen deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, deputetët nga radhët e komunitetit serb dhe komuniteteve të tjera joserbe”, thuhet në njoftim.
Basha ka kërkuar nga partitë që sa më shpejtë të jetë e mundur të paraqesin grupet e tyre parlamentare, për të proceduar më pas me themelimin e trupave punues të Kuvendit.
Heshtje mes partitve politike dhe ‘kërkesat’ për koalicion
Analisti Milazim Maraj, thotë se bazuar në atë që dihet deri më tani është e sigurt që sot do të bëhet betimi i deputetëve për angazhimin e tyre për çka kanë fituar besimin.

Ai konsideron se në partitë politike ka një heshtje, që sipas tij, është e pakuptim dhe neveritëse.
“Për sot Presidentja e Kosovës Dr. Vjosa Osmani ka ftuar deputetet e kuvendit të dalë nga zgjedhjet e fundit. Për këtë ka pasur takime dhe pajtime nga të gjitha subjektet politike për këtë Seancë. Bazuar në atë që tani dihet dhe është e sigurt se sot do të bëhet betimi i deputetëve për angazhimin e tyre për çka kanë fituar besimin. Nga partitë politike mbretëro një heshtje sa e pakuptim aq edhe neveritëse. Kjo heshtje zhgënjen elektoratin e Kosovës në përgjithësi dhe atë shqiptarë në veçanti. Një vit humbje nuk është pak për Kosovën shtet të ri. Një vit zgjedhje dhe përsëritje të zgjedhjeve. Numërim dhe rinumërim të votave. Zbulim të kriminalitetit gjatë votimit, arrestime dhe burgosje. Tani vjen radha të konsolidohen organet legjislative dhe ekzekutive të vendit. Para këtyre institucioneve janë grumbulluar shumë punë dhe ka pas shumë humbje në kohë dhe punë, në financa dhe imazh. Disa nga ata që bojkotuan punimet dhe sollën Kosovën në rizgjedhje tani shkuan të marrin pjesë në lutjet e mëngjesit në SHBA. Kjo kuptohet për të u shpërlarë pak nga gabimet dhe dëmet që i sollën shtetit të vet dhe për të blerë pak reputacion të konsumuar në Kosovë”, thotë Maraj për “Bota sot”.
Ai nuk sheh një marrëveshje mes partive më pak vota dhe LVV-së që ka shumicën e vendeve në parlament.
Maraj e konsideron një koalicion të domosdoshëm, gjersa uron të formohet Kuvendi dhe Qeveria.
“Rëndësinë e kësaj seance për sot e ka vu nën hije organizimi i Protestës për 17 shkurt, sikur kjo të jetë shumë më e rëndësishme së seanca për formimin e institucioneve të Kosovës pa të cilat kemi mbetur tërë vitin. Për protesta u deklaruan edhe SPK dhe BIK. Ndërsa për seancën e Kuvendit nuk flitet se ka ndonjë marrëveshje në mes të partive që kanë më pak vota dhe LVV që ka shumicën e vendeve në Parlament. Nga ana tjetër disa nga deputetët të partive të ndryshme që kanë unin e vet flasin që do të vendosim të ecim përpara pa u marrë shumë me subjektin që i takon. Por edhe këto janë deklarime jozyrtare. Ajo çka tani dihet nesër do të behet betimi i deputetëve. Për këtë jemi të sigurt që do ta bëjnë të gjithë edhe “Lista Serbe”, nga se janë në pyetje mëditjet. Por edhe për të rrezikuar edhe një herë nuk do ta provojnë. Por a do të merren vesh për ndonjë koalicion që është i domosdoshëm nuk duket ende. Deklarimet e disa deputetëve të LVV që i kanë votat e nevojshme janë prapë të pa besueshme, bazuar në gjendjen e mëparshme. Nga mbledhjet që kanë pasur me Presidenten e Kosovës, dolën me urimin na “Priftë Mbarë” sikur kjo mbarësi nuk varet nga këta. Z. Glauk Konjufca deklaroj që sot do të formohet Kuvendi me organet e veta dhe Qeveria. Dëshirë e mirë urojmë që të bëhet. Vetëm mëvetësia e deputetëve mund të lëvizë këtë gjendje përpara, qoftë me ndikimet në subjektet e veta qoftë me veprimin e detyrimit që e kanë marrë nga elektorati në fushatën zgjedhore për herë të dytë”, përfundon Maraj.
Burimi: botasot.info

