Deputetja e Alternativës dhe e koalicionit VLEN, Imerlije Saliu, ka pyetur BDI-në, se kush i ka penguar ata që për 22 vite nuk kanë mundur ta zgjidhin çështjen e Jurisprudencës?
Ajo, mes tjerash thotë, se si deputet të VLEN-it në Kuvendin e RMV-së, gatishmëria dhe përkrahja e tyre për studentët ka qenë e qartë që në takimi e parë të zhvilluar.
“Kush e ndaloi BDI-në për 22 vite që ta zgjidhë çështjen e provimit të Jurisprudencës? Nga kush u frikësuan, kur kishin pushtetin dhe mandatet për të vepruar?
Dua të rikujtoj se, si deputet të VLEN-it në Kuvendi e Republikës së Maqedonisë së Veriut, gatishmëria dhe përkrahja jonë për studentët ka qenë e qartë që në takimin e parë që zhvilluam në ambientet e Kuvendit.
Ne jo vetëm që jemi në anën e studentëve, por edhe kërkuam falje për gabimet e trashëguara nga ata që sot bëjnë zhurmë në skenën politike, por që për vite me radhë, me gjithë pushtetin që kishin, nuk e panë të arsyeshme të zgjidhin këtë problem.
Ironia është edhe më e madhe kur disa prej tyre kanë qenë vetë profesorë universitarë. Pra, jo vetëm që kishin pushtet politik, por edhe përgjegjësi akademike.
Ne kemi kërkuar mirëkuptim nga studentët që kjo çështje të zgjidhet në mënyrë ligjore, të drejtë dhe të qëndrueshme, jo me improvizime që krijojnë probleme të reja.
Dhe po, studentët kanë plotësisht të drejtë të jenë të zëshëm.
Sepse zëri i tyre është i drejtë.
Por një gjë duhet të jetë e qartë:
Studentët nuk duhet të përdoren si mjet për të mbuluar dështimet politike 22-vjeçare të askujt.
P.S.: harova, gjatë gjithë periudhës qeverisëse me dekada BDI nuk ka pas ministër shqiptar të Drejtësisë”, ka shkruar Saliu.
Burimi: alfax.mk


