Zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali në intervistën për “ZOOM” në TVM2 ka folur edhe për projektin “Safe city” i cili u miratua së fundmi në Kuvend.
Ai thotë se shohin anët pozitive të kësaj praktike dhe nëse kjo është në interes të qytetarëve, natyrisht siç thotë “e përkrahim si ligj dhe do të vazhdojmë të bëjmë thirrje që edhe opinioni ta pranojë si një të vërtetë të cilën do të duhet ta respektojmë të gjithë”.
“Këto ndryshime kanë filluar nga viti 2012, pajisjet e para janë blerë në vitin 2012-2013 dhe implementimi i këtij sistemi është tash në dhjetor të vitit 2025. Kishim një periudhë testimi njëmujor dhe nga 1 shkurti pritet të implementohet plotësisht. Ne shohim anën pozitive të kësaj, e cila ka të bëjë me rënien drastike të kundërvajtjeve apo shkeljeve në shpejtësinë gjatë vozitjes. Kishte një statistikë ku ditën e parë që kur filloi të implementohet, vetëm në Qytetin e Shkupit kishim rreth 150 mijë kundërvajtje, ditën e nesërme ky numër ra në 50 për qind, apo 60 mijë dhe pritshmërtitë janë që mund të bie numri deri në momentin e aplikimit, pra kemi rënie drastike të kundërvajtjeve”, ka thënë Sali.
Lidhur me gjobat nëse do të arrijnë edhe në gjuhën shqipe, Sali thotë se ka qenë një lëshim teknik i cili ka ndodhur në fazën e testimit dhe se ka vendim me të cilin njoftimet do të vijnë në dy gjuhë.
Burimi: alfax.mk


