Pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve janë kthyer në një nga përplasjet më të forta mes institucioneve, pas kërkesës për një rritje me 43% të pagës referuese, e cila do të sillte një tjetër nivel pagash për magjistratët.
Por sa paguhen sot gjyqtarët dhe prokurorët dhe ku pozicionohen këto paga krahasuar me pjesën tjetër të administratës publike?
Aktualisht, paga mesatare e një gjyqtari dhe prokurori, e cila përllogaritet duke përfshirë koeficientin dhe vjetërsinë, qëndron në nivelin e 156 mijë e 800 lekëve. Nëse ndalemi sipas kategorive, duke nisur nga struktura e posaçme SPAK, një prokuror i posaçëm me vjetërsi pune mbi 10 vjet paguhet mbi 446 mijë e 56 lekë. Një prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme 270 mijë e 537 lekë, një prokuror pranë Gjykatës së Apelit 243 mijë e 325 lekë me eksperiencë pune mbi 7 vjet dhe një gjyqtar i shkallës së parë paguhet mesatarisht 218 mijë e 380 lekë. Ndalur te vjetërsia, paga rritet çdo vit 2% sa e pagës referencë.
Por kërkesa për rritje page dhe dorëzimi i listëpagesave pranë thesarit pa miratim të Kuvendit ka ndezur debatet.
Teksa anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor vendosën rritjen e pagës referuese të çdo gjyqtari në vend me 65.600 lekë, ose 43% të pagës që kishin. Nga 156.800 lekë që ishte më herët, do të rritej në 222.425 lekë, plus 14 mijë lekë shtesë për kualifikimin.
Ministria e Financave nuk i ekzekutoi listëpagesat me këtë përllogaritje, duke argumentuar se përcaktimi i pagave është kompetencë e Kuvendit.
Por një rritje me 43%, apo thënë ndryshe 65.600 lekë, do t’i çonte pagat e prokurorëve të posaçëm në 511 mijë e 656 lekë, prokurorët e Përgjithshëm 336.137 lekë, prokurorët e Gjykatës së Apelit 308.925 dhe gjyqtarët 283.980 lekë.
Kryeministri Edi Rama e cilësoi këtë kërkesë të gjyqtarëve si më të lartën në rajon. Në një referim ai cilësoi se Shqipëria qëndron në vendin e katërt të pagës mesatare më të lartë për gjyqtarët, 3.804 euro. Në vend të parë është Greqia me 5.451 euro, të dytë Rumania me 5.422 euro dhe të tretë Sllovenia me 4.193 euro. Nëse do të aplikohej rritja e kërkuar nga gjyqtarët, Shqipëria do të kalonte në vendin e parë me 5.735 euro pagë mesatare, duke i lënë pas të tjerat.)
Formula e propozuar nga socialistët parashikon që paga referuese e magjistratëve të jetë sa 0.38 e pagës së Presidentit të Republikës, nga 0.36 që ishte më parë. Ndryshe nga drafti i PS-së që parashikon një rritje me rreth 8.500 lekë për rrogën referuese të magjistratëve, pretendimi i tyre, i miratuar edhe nga KLGJ dhe KLP, është 9-fish më i lartë, rreth 80 mijë lekë më i lartë.
Por si qëndrojnë këto vlera përballë nivelit kombëtar të pagave në Shqipëri?
Aktualisht, paga mesatare në Shqipëri është 92 mijë e 150 lekë/muaj, në shtet 107.090 lekë/muaj, privat 86.094 lekë/muaj.
Ndalur sipas kategorive, duke vijuar nga presidenti, 435 mijë e 625 lekë/muaj, kryeministri 413 mijë 000 lekë/muaj, deputetët pas dyfishimit në maj në 310 mijë e 250 lekë/muaj.
Për policët pagat mesatare vijojnë nga 100 mijë-156 mijë lekë në muaj, infermierët dhe mjekët nga 92 mijë e 500 lekë në 143 mijë e 500 lekë, arsimtarët 73 mijë-107 mijë lekë në muaj.
NIVELI MESATAR I PAGAVE TË PROKURORËVE DHE GJYQTARËVE?
Prokuror i posaçëm 446.056 lekë
Prokuror i Përgjithshëm 270.537 lekë
Prokuror Gjykata e Apelit 243.325 lekë
Gjyqtar Shkalla e Parë 218.380 lekë
RRITJA MESATARE E PAGAVE SIPAS KLGJ DHE KLP
Është Bëhet
156.825 lekë 222.425 lekë
PAGAT SIPAS KATEGORIVE ME RRITJEN 43% (ishte/ bëhet)
Prokuror i posaçëm 446.056 lekë 511.656 lekë
Prokuror i Përgjithshëm 270.537 lekë 336.137 lekë
Prokuror Gjykata e Apelit 243.325 lekë 308.925 lekë
Gjyqtar Shkalla e Parë 218.380 lekë 283.980 lekë
PROPOZIMET E PARAQITURA
KLP/KLGJ PS
+65.600 +8.500
NIVELI MESATAR I PAGAVE SIPAS KATEGORIVE
Presidenti 435 625 lekë/muaj
Kryeministri 413.000 lekë/muaj
Gjyqtar/Prokuror mbi bazën referuese 156 825 + koeficientët/shtesat sipas funksionit
Deputetët 310.250 lekë/muaj
NIVELI MESATAR I PAGAVE SIPAS KATEGORIVE
Polic 116.000 -156.450 lekë/muaj
Mjek 92.500 -143.500 lekë/muaj
Arsimtar 73.000 -107.120 lekë/muaj
Burimi: botasot.info


