Rrjeti i Grave të Kosovës bën thirrje për pjesëmarrje në marshimin kundër femicidit, i cili do të mbahet sot, duke filluar nga ora 12:00, me kërkesën që parandalimi i vrasjeve të grave të trajtohet si urgjencë kombëtare.
Përmes këtij marshimi, Rrjeti i Grave të Kosovës kërkon veprime konkrete institucionale për parandalimin e dhunës ndaj grave, mbrojtjen e viktimave dhe vendosjen e përgjegjësisë për dështimet institucionale.
Ndër kërkesat kryesore janë ndryshimi i Kodit Penal për adresimin e femicidit dhe formave të tjera të dhunës ndaj grave, krijimi i mekanizmit Femicide Watch për analizimin e rasteve dhe identifikimin e mangësive institucionale, si dhe sigurimi i financimit të qëndrueshëm për strehimoret, linjat emergjente dhe shërbimet e specializuara për viktimat.
Po ashtu, kërkohet miratimi dhe zbatimi i legjislacionit dytësor, me qëllim funksionalizimin e plotë të shërbimeve të mbrojtjes dhe mbështetjes për gratë që përjetojnë dhunë.
Rrjeti i Grave të Kosovës thekson se ngushëllimet pas tragjedive nuk janë të mjaftueshme dhe se parandalimi i femicidit kërkon drejtësi, masa efektive dhe llogaridhënie institucionale.
Burimi: botasot.info


