Nëntë pasagjerë dhe një pilot kanë humbur jetën në një aksident me një avion të vogël në Bahamas, njoftuan autoritetet.
Avioni i lehtë ishte duke kryer një udhëtim të shkurtër nga Aeroporti Ndërkombëtar “Lynden Pindling”, pranë kryeqytetit Nassau, drejt Aeroportit San Andros, kur “raportohet se hasi vështirësi” dhe u rrëzua në shkurre para uljes, bëri të ditur Autoriteti i Hetimit të Aksidenteve Ajrore të vendit përmes një deklarate.
Aksidenti fatal ndodhi në ditën e 53-vjetorit të pavarësisë së Bahamasit.
“Sot është një ditë festimi, por është kthyer në një ditë zie”, tha kryeministri i Bahamasit, Philip Davis, gjatë një konference për media.
Ai shtoi: “Edhe një herë, një kapitull në historinë e kombit tonë është shënuar nga një tragjedi”.
Fillimisht Davis tha se kishte një të mbijetuar, por disa orë më vonë konfirmoi se edhe ai person kishte ndërruar jetë nga plagët e marra, raporton BBC.
Detajet për personat që ndodheshin në bord, përfshirë moshën dhe emrat e tyre, ende nuk janë bërë publike.
Avioni i tipit Cessna 402 operohej nga Flamingo Air, një kompani ajrore me bazë në Bahamas. Ministria e Aviacionit njoftoi se ka pezulluar përkohësisht certifikatën e operatorit ajror të kompanisë “si masë paraprake të sigurisë”.
Ministria theksoi se kjo masë pezullimi “nuk duhet të konsiderohet si një veprim negativ ndaj përputhshmërisë së Flamingo Air me rregulloret”.
Ajo bëri të ditur gjithashtu se të premten kishin ndodhur “dy incidente të sigurisë”.
Ministrja e Aviacionit, JoBeth Coleby-Davis, u tha gazetarëve se një avion tjetër më herët ishte kthyer në Nassau pasi piloti kishte raportuar një problem teknik. Sipas partnerit amerikan të BBC-së, CBS News, një zjarr kishte shpërthyer në bord pasi avioni ishte ulur dhe pasagjerët kishin dalë prej tij.
Burimi: botasot.info


