rokas be ju sheh si anetar te ardhshem por sundimi i ligjit mbetet kusht i pakompromis 6a60cea134c33

Rokas: BE ju sheh si anëtar të ardhshëm, por sundimi i ligjit mbetet kusht i pakompromis

July 22, 2026
min lexim

Bashkimi Evropian mbetet plotësisht i përkushtuar ndaj perspektivës evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe nuk ka asnjë dyshim se vendi shihet si anëtare e ardhshme me të drejta të plota e Unionit. Këtë mesazh e përcolli ambasadori i BE-së, Mihalis Rokas, para Këshillit Kombëtar për Eurointegrime.

Ai tha se procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian është në zhvillim të plotë, duke përmendur konferencat e fundit ndërqeveritare me Shqipërinë, Malin e Zi, Ukrainën dhe Moldavinë si shembuj pozitivë. Sipas tij, qëllimi i dokumentit joformal (non-paper) të Francës dhe Gjermanisë është të përshpejtojë procesin e anëtarësimit të vendeve kandidate, duke u mundësuar atyre qasje graduale në tregun e brendshëm evropian, paralelisht me përmbushjen e kushteve për anëtarësim të plotë.

“Franca dhe Gjermania ishin nismëtaret e kësaj iniciative dhe qëllimi është i përbashkët për të gjithë: të përshpejtohet procesi i anëtarësimit, të përmbushen të gjitha parakushtet e nevojshme, por njëkohësisht vendeve kandidate t’u mundësohet qasje graduale në tregun e brendshëm të BE-së. Pikërisht për këtë arsye, ne po punojmë paralelisht edhe në këtë proces”, tha ai.

Duke vlerësuar gjendjen në vend, Rokas theksoi se Maqedonia e Veriut ka dëshmuar se ka kapacitet për të zbatuar reformat e nevojshme. Ai përshëndeti punën e Kuvendit, por ishte i prerë se sundimi i ligjit mbetet kriteri kryesor dhe i panegociueshëm për hapjen e kapitujve të negociatave.

“Pa asnjë hezitim mund të them se vendi ka treguar se ka kapacitet për të zbatuar reforma. Dua të përshëndes punën që është bërë në Kuvend, veçanërisht sa i përket ligjeve që miratohen në këtë institucion. Natyrisht, me mbështetjen e Delegacionit të Bashkimit Evropian, besojmë se mund t’ju përgatisim me sukses për anëtarësimin në BE”, deklaroi Rokas.

Për një proces të suksesshëm eurointegrimi, euroambasadori tha se është e domosdoshme të sigurohet një administratë publike profesionale dhe efikase, por mbi të gjitha një gjyqësor plotësisht i liruar nga ndikimet politike dhe i përforcuar me burime të mjaftueshme njerëzore dhe financiare. Edhe pse raportet evidentojnë vlerësime pozitive dhe një atmosferë të mirë demokratike mes aktorëve politikë, Rokas apeloi për arritjen e një konsensusi të gjerë politik për reformat kyçe, me theks të veçantë te Kodi Zgjedhor dhe Kodi Penal.

“Kam gati dy vjet që jam këtu dhe shoh se ka hapësirë për diskutime, madje edhe për mosmarrëveshje politike për shumë çështje. Por, kur bëhet fjalë për këto reforma kyçe, është shumë e rëndësishme, natyrisht edhe me mbështetjen tonë, të arrihet një konsensus i gjerë politik”, tha Rokas.

Sa i përket mbështetjes financiare, ai njoftoi se Bashkimi Evropian po punon për një kornizë të re shumëvjeçare financiare me instrumente fleksibile, të cilat do t’i zëvendësojnë fondet aktuale IPA. Ai siguroi se asnjë vend nuk do të mbetet pa mbështetjen e nevojshme, ndërsa Delegacioni i BE-së, siç tha ai, do të vazhdojë ta ndihmojë intensivisht Maqedoninë e Veriut, proces ky që sipas tij varet nga vullneti i përbashkët politik dhe respektimi i vlerave themelore evropiane.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime. Qeveria aktuale në Shkup ka deklaruar se nuk do t’i bëjë këto ndryshime.

Me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.

Burimi: alfax.mk

VERO

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

cfare flasin ne telefon shtate ore brikena dhe mateo zbulojne sekretet e marredhenies se tyre 6a60cbfb85fd4
Lajmi i mëparshëm

Çfarë flasin në telefon shtatë orë Brikena dhe Mateo? Zbulojnë sekretet e marrëdhënies së tyre

stuhia qe e laveroi shkupin ishte me shpejtesi 130 km h 6a60cfef04cb2
Lajmi i radhës

Stuhia që e “lavëroi” Shkupin ishte me shpejtësi 130 km/h

Të fundit nga

ShkoLartë