Së fundi, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka folur për mundësinë e një bashkimi të madh të së djathtës në Kosovë, duke theksuar se në këtë projekt një rol të rëndësishëm do ta kishte edhe presidentja aktuale, Vjosa Osmani.
Ai tha se Osmani aktualisht mban postin e presidentes dhe për këtë arsye nuk mund të flitet më gjerësisht për angazhime politike, por theksoi se në një projekt të madh të së djathtës ajo do ta kishte vendin e saj të padiskutueshëm. ndonjëherë.
Kjo deklaratë e Lumir Abdixhiku për mundësinë e rikthimit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në Lidhja Demokratike e Kosovës ka rikthyer në qendër të debatit publik raportin mes dy figurave dhe partisë që dikur i bashkonte.
Duke e cilësuar Osmanin si një figurë “thelbësore dhe shumë të rëndësishme”, Abdixhiku la të hapur mundësinë që ajo të ketë sërish një rol në projektin politik të LDK-së, duke sinjalizuar një qasje më gjithëpërfshirëse ndaj figurave që ndajnë orientimin institucionalist dhe pro-perëndimor.
Kujtojmë, se këtë çka po e deklaron Abdixhiku, vjen pas një periudhe të gjatë tensionesh politike që kulmuan me largimin e Osmanit nga LDK, një zhvillim që në atë kohë u konsiderua nga shumë analistë si një nga goditjet më të mëdha politike për partinë.
Madje, largimi i saj u interpretua nga një pjesë e strukturave dhe elektoratit si tradhti, ndërsa nga të tjerë si pasojë e përplasjeve të brendshme dhe ndryshimeve në drejtimin politik të subjektit.
Në këtë kontekst, hapja e derës për një rikthim të mundshëm ngre një sërë pyetjesh politike: a do të shërbente kthimi i Osmanit si një moment i ri bashkimi dhe fuqizimi për LDK-në, apo do të rihapte plagë të vjetra brenda partisë? Po ashtu, mbetet për t’u parë nëse një lëvizje e tillë do të mobilizonte elektoratin tradicional të LDK-së apo do të krijonte tensione të reja brenda saj.
Dajaku: Rikthimi dhe roli i Vjosa Osmanit në LDK, është vështirë të vlerësohet me saktësi
E në lidhje me këtë temë për “Bota sot” foli edhe Xhevat Dajaku, vëllai ish-truprojës së presidentit Rugova, Besim Dajaku.

Fillimisht, ai tha se idetë për bashkim vijnë nga synimet për rritje dhe ringritje dhe në rastin e LDK-së thirrja për bashkim të pjesëve të djathta do ishte hap pozitiv për të.
“Idetë për bashkim zakonisht lindin me qëllim rritjen, fuqizimin, zhvillimin apo edhe ringritjen e organizmave dhe strukturave të ndryshme. Në këtë rast bëhet fjalë për subjektin politik, përkatësisht për LDK-në.
Thirrja për bashkimin e së djathtës, apo të pjesëve të djathta që janë shkëputur nga LDK gjatë zhvillimeve politike pas vdekjes së Presidentit historik Ibrahim Rugova, do të ishte pa dyshim një hap pozitiv nëse do të realizohej. Një projekt i tillë do të ishte në të mirë të LDK-së dhe të vetë spektrit të djathtë politik në Kosovë”.
Mirëpo, sa i përket rikthimit të Osmanit në LDK dhe rolit të saj, Dajaku e ka vështirë ta vlerësoj, kjo për shkak të rrugëtimit të saj politik.
Në këtë pikë, ai përmendi edhe pjesëmarrjen e saj në protestën kundër Speciales, si dhe afërsinë me Edi Ramën.
“Megjithatë, sa i rëndësishëm mund të jetë roli i znj. Vjosa Osmanit në këtë proces, është vështirë të vlerësohet me saktësi. Kjo për faktin se gjatë rrugëtimit të saj politik ajo ka bërë disa hapa jo mirë të matur, të cilët mund t’i kushtojnë në karrierën e saj politike. Ndër to përmendet dalja e saj në protestat kundër drejtësisë, disa angazhime të panevojshme në aktivitete të caktuara publike, si dhe deklarata e Edi Ramës se gjoja Presidentja Osmani ishte “terrorizuar” për vite nga prokurorët e Gjykatës Speciale për t’u ofruar dokumente konfidenciale nga sirtarët e Presidencës. Heshtja e saj ndaj kësaj deklarate u interpretua nga shumëkush si një lloj pranimi, gjë që përbën një precedent të pazakontë dhe ka shkaktuar zhgënjim te një pjesë e elektoratit dhe simpatizuesve të saj.
Pavarësisht të mirave dhe gabimeve të saj, një rikthim eventual i saj në një projekt të përbashkët politik më shumë do ta ndihmonte LDK-në sesa do ta dëmtonte atë”, shtjelloi ai.
Sipas tij, nëse LDK ka strategji të mirë dhe njerëz të duhur, ajo mund ta rikthejë elektoratin e saj.
Krahas kësaj, ai përmendi faktin se LDK nuk është unike sot, pasi ka shumë dallime dhe deklarata të ndryshme brenda strukturës së kryesisë së saj.
“Nga ana tjetër, nëse LDK arrin të ndërtojë një performancë të mirë politike dhe një strategji të qartë e të mirëpërgatitur, ekziston mundësia reale që ajo të rikthejë një pjesë të elektoratit që tradicionalisht i përket spektrit të djathtë. Elektorati gjithmonë kërkon alternativa, gjë që është parë edhe gjatë shumë ndarjeve dhe shkëputjeve nga LDK ndër vite. Shpesh votuesit janë zhvendosur me shpresën se do të gjejnë frymën e vërtetë të Rugovizmit, por jo rrallë janë zhgënjyer.
Po ashtu duhet theksuar se edhe LDK-ja e sotme nuk është plotësisht unike. Brenda saj vërehen divergjenca dhe deklarata që jo gjithmonë përkojnë në të njëjtën vijë politike. Kjo tregon se brenda partisë mund të ekzistojnë grupacione të krijuara gjatë zhvillimeve politike ndër vite, të cilat ndikojnë në kohezionin e brendshëm të saj.
Ndërsa, nëse LDK arrin të reflektojë, të konsolidohet dhe të rikthejë frymën politike mbi të cilën është ndërtuar, atëherë ajo mund të rikthehet sërish si një alternativë serioze për elektoratin e djathtë në Kosovë”, përfundoi Xhevat Dajaku për “Bota sot”.
Mjaki: Vjosa, në të kaluarën kishte pretendime të merrte timonin e LDK-së
Ndërsa, veprimtari i LDK-së potencoi faktin se partia e tij, fatkeqësisht asnjëherë ska dal si partia e parë, pas vdekjes së presidentit historik, Ibrahim Rugova.

Ai u kthy pas në kohë dhe kujtoi momentet e ndarjes së LDK-së dhe mungesës së unitetit brenda kësaj partie.
“Nëse kthehemi në histori, LDK-ja jonë kurrë nuk ka dalë si parti e parë pas shkuarjes në amshim të presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova. Kuptohet që me të iku edhe një pjesë e shpirtit të rugovistëve. Por ndarja e LDK-së Sejdiu–Daci, në vend që të krijonte unitet brenda LDK-së, i nxori në pah interesat e tyre personale dhe kjo ishte qershia mbi tortë për PDK-në.
Për të siguruar pushtetin, z. Sejdiu afroi Isa Mustafën, mikun e Bukoshit, një krah i njohur kundër Rugovës. Ky më pas, me “daulle”, e hoqi qafe Sejdiun dhe e mori LDK-në pa qenë kurrë anëtar i saj. Ai solli edhe disa njerëz të tjerë që nuk kishin asgjë të bënin me LDK-në. Vjosa, që ishte këshilltare e Sejdiut, vazhdoi me Isën dhe kështu arritëm deri në momentin kur elektorati rugovist nuk e donte më Isën dhe shihnin te Vjosa një alternativë, sidomos pasi ajo e mbrojti mirë Kosovën në GJND dhe përfaqësuesit serbë shiheshin kokëulur”, nënvizoi ai.
Më tej, Mjaki e ndërlidhi edhe kohën sa në krye të partisë ishte Mustafa, por si candidate për kryeministre u zgjodh Osmani, e ku këtu shënuan një ngritje si parti.
Sipas tij, Osmani kishte synim që ta merrte drejtimin e LDK-së, po inatet nuk e lanë dhe disa persona brenda aty e “shkarkuan” dhe e “dërguan” te Kurti.
“Në një moment erdhi koha që Isa të ndërrohej. Kandidatët më të mundshëm ishin Luta, Agim Veliu dhe Vjosa, por prapë Isa u rizgjodh. Megjithatë, Vjosa doli si kandidate për kryeministre dhe, edhe pse brenda kishte përplasje dhe inate mes tyre, për herë të parë LDK-ja pati rritje dhe mori afërsisht 30%, ndërsa VV ishte vetëm më pak se 1% para nesh.
Pas sëmundjes së Isës, Vjosa kishte pretendime të merrte timonin e LDK-së, por aty kishte edhe “elefantë” të tjerë dhe shikimet si kameleon ishin të zakonshme. Në zgjedhje, edhe pse Vjosa ishte me numrin 81, mori mbi 60,000 vota, shumë më larg se i dyti me mbi 30,000 vota diferencë. Pra, elektorati i LDK-së e donte Vjosën shefe të partisë. Këtu filloi lufta brenda, derisa edhe e shkarkuan me SMS, duke ia bërë Albin Kurtit argatin më të madh që as ai vetë nuk e priste.
Vjosën e larguan ata që nuk e donin mendimin ndryshe brenda LDK-së, por më së shumti ata që u rrezikohej karrigia dhe interesat e tyre.
Vjosa shkoi te ai që dikur e quante “bolshevik” dhe mori rreth 50% të elektoratit me vete, kështu që nga 30% ramë në 12%”.
Ndër të tjera, veprimtari tha se LDK e ka humbë besimin te liderët e saj, ndërsa Osmani do duhej të ishte në krye të saj që nga viti 2019 dhe gjërat do ishin ndryshme.
Megjithatë, ai mirëpriti idenë për rikthim të Osmanit dhe bashkim të LDK-së me ideologjitë e djathta.
“Me ardhjen e Lumirit kishim shpresë se do të kishte ngritje dhe pati pak përmirësim, por prapë pësuam në zgjedhjet e fundit. LDK-ja e ka humbur besimin te liderët e saj dhe një pjesë e madhe nuk votojnë fare, ndërsa një pjesë tjetër janë te VV dhe Guxo.
Tani shtrohet pyetja: a duhet të kthehet Vjosa? Unë them që Vjosa do të duhej ta merrte timonin e LDK-së në vitin 2019. Nëse vota është ajo që e cakton vendin e secilit, atëherë në atë kohë Vjosa duhej ta udhëhiqte LDK-në. Ju garantoj se sot LDK-ja do të ishte 35–40%, ndërsa VV nën 20%.
Duke parë që Albini nuk ka për qëllim avancimin e shtetit, por vetëm kapjen e tij – qeverinë, parlamentin, presidencën, AKI-në, gjyqësorin etj. – atëherë ose sot, ose kurrë, duhet të bashkohemi.
LDK + Vjosa + AAK + PSHDK si ideologji e djathtë, që Kosova jonë ta ngrejë ekonominë dhe kapitalin, e jo të kemi një qeveri sadakash vetëm për vota”, përmbylli Ismet Mjaki për “Bota sot”.
Burimi: botasot.info

