rekord i frikshem ne spanje temperatura ne barcelone arrin nivelin me te larte ne histori 6a4e8e717cdec

Rekord i frikshëm në Spanjë, temperatura në Barcelonë arrin nivelin më të lartë në histori

July 8, 2026
1 minut lexim

Barcelona ka shënuar një rekord të ri historik të temperaturave të larta, pasi termometri ka arritur në 40.5 gradë Celsius, sipas shërbimeve rajonale të meteorologjisë.

Kjo temperaturë ka thyer rekordin e mëparshëm prej 40 gradësh Celsius, i regjistruar në korrik të vitit 2024.

Meteorologët bëjnë të ditur se Barcelona zakonisht ndikohet nga afërsia me detin, i cili ka një efekt zbutës ndaj temperaturave të larta.

Megjithatë, vala e nxehtësisë që ka përfshirë Spanjën ka bërë që edhe zonat bregdetare të përjetojnë temperatura ekstreme.

Edhe në aeroportin e Barcelonës, i vendosur pranë detit, temperatura arriti në 37.7 gradë Celsius, duke kaluar rekordin e mëparshëm prej 37.4 gradësh të regjistruar në vitin 2010.

Shërbimi meteorologjik spanjoll konfirmoi se temperaturat e regjistruara në dy stacionet meteorologjike të qytetit përbëjnë vlerat më të larta të shënuara ndonjëherë në Barcelonë.

Spanja prej disa ditësh ndodhet nën ndikimin e një vale të re të nxehti, e cila ka prekur veçanërisht pjesën verilindore të vendit, përfshirë rajonin e Katalonjës ku ndodhet Barcelona.

Autoritetet kanë ngritur nivelin më të lartë të alarmit në disa zona pranë qytetit, duke paralajmëruar për rrezik ekstrem ndaj shëndetit të qytetarëve, veçanërisht për grupet më të ndjeshme.

Vala e të nxehtit, me temperatura rreth 40 gradë Celsius në shumë qytete të Spanjës, pritet të vazhdojë edhe në ditët në vijim.

Meteorologët kanë paralajmëruar gjithashtu për rrezik shumë të lartë të zjarreve për shkak të thatësirës dhe temperaturave ekstreme.

Kjo është vala e dytë e madhe e të nxehtit që ka goditur Spanjën gjatë këtij sezoni veror. Sipas të dhënave meteorologjike, muaji qershor i këtij viti ishte ndër muajt më të nxehtë që nga fillimi i regjistrimeve.

Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të shmangin ekspozimin e gjatë në diell, të konsumojnë më shumë lëngje dhe të tregojnë kujdes të veçantë gjatë orëve me temperaturat më të larta.

Ekspertët paralajmërojnë se valët ekstreme të nxehtësisë po bëhen gjithnjë e më të shpeshta në Evropë dhe po sjellin pasoja të drejtpërdrejta për shëndetin, mjedisin dhe sigurinë publike.

Burimi: botasot.info

VERO

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

shqiperia nuk eshte gati per tu anetaresuar ne be beleri ndryshe nga koleget eurodeputete ne strasburg ka shume probleme te pazgjidhura 6a4e8e185722f
Lajmi i mëparshëm

“Shqipëria nuk është gati për t’u anëtarësuar në BE”, Beleri ndryshe nga kolegët eurodeputetë në Strasburg: Ka shumë probleme të pazgjidhura

te shtena me arme ne nje makine influencuesja 21 vjecare humb jeten pas sulmit 6a4e8f4585e61
Lajmi i radhës

Të shtëna me armë në një makinë, influencuesja 21-vjeçare humb jetën pas sulmit

Të fundit nga

ShkoLartë