Shkodra u trondit mëngjesin e kësaj të hëne nga një atentat mafioz. Nga të shtënat mbetën të vrarë dy persona dhe një tjetër i plagosur.
Dyshohet se objektiv i atentait ishte Erogen Vaso (Brajovic) i cili mbeti i plagosur dhe ndodhet aktualisht në spital.
Ky i fundit në reagim për VoxNews iu shpreh ngushëllime familjeve të dy miqve të tij që mbetën të vrarë në atentat.
Në reagim Erogen Vaso thekson se nuk ka lidhje me asnjë grup kriminal që po përfliten në media, ndërsa kërkon që të zbardhen sa me shpejt motivet e këtij akti të rëndë tragjik!
Reagimi i Erogen Millan (Brajovic):
Unë, Erogen Millan Vaso (Brajoviç), e bëj këtë reagim për mediat dhe opinionin publik.
Në këto momente të vështira, jo vetëm për mua, i shpreh ngushëllimet e ndjera familjarëve të dy miqve të mi, me të cilët ishim së bashku sot në mëngjes, në një kafe në qendër të Shkodrës. Ata ishin qytetarë model të Shkodrës, familjarë të respektuar nga gjithë komuniteti. Dora e pabesisë e një vrasësi i shkëputi sot nga jeta, teksa ishim së bashku, dhe për mua personalisht është dhimbje e rëndë dhe plagë që nuk mbyllet! Qofshin në paqe me Zotin, Armando dhe Geridoni! Zoti u dhëntë forcë familjeve të tyre!
Gjithashtu, i uroj shërim të shpejtë vajzës së plagosur në këtë ngjarje. Distancohem plotësisht nga informacione që lidhin personin tim me emra apo grupe të caktuara në Shkodër.
Jam sipërmarrës në disa biznese, një pjesë të cilave i kam trashëguar nga babai im, gjithashtu ai vetë sipërmarrës deri në fund të jetës, ish-futbollist i Shkodrës dhe i kombëtares shqiptare.
Unë kam qenë, për shkak edhe të traditës familjare, ish-futbollist i ekipit të Vllaznisë dhe ish-president i klubit të futbollit Tërbuni të Pukës. Familja ime ka pasur një histori përsekutimi politik para viteve ’90, por edhe vite më pas, për shkak se ka përfaqësuar komunitetin malazez në Qarkun e Shkodrës. Për interesat e këtij komuniteti dhe të Shkodrës, kam shërbyer me korrektësi për disa vite si anëtar i këshillit bashkiak të qytetit tim, ashtu sikurse kishte shërbyer edhe njëri prej miqve të mi të afërt që humbi jetën sot.
Jam informuar në spital se autori është ndaluar dhe shpresoj të zbardhen sa më shpejt motivet e këtij akti të rëndë tragjik. Sa për lidhje të tjera që aludohen në media, sqaroj se duhet lënë në dorë të institucioneve të ligjit trajtimi i këtyre çështjeve.
Burimi: botasot.info


