Komuna e Tetovës ka reaguar lidhur me procedurën e hapur në Gjykatën Kushtetuese për emërtimin e rrugëve në qytet, duke akuzuar gjykatësit shqiptarë të këtij institucioni se po merren me politikë ditore në vend që, sipas komunës, të mbrojnë interesin shqiptar, përcjell tetova1
Nga Komuna e Tetovës thonë se vendimi për riemërtimin e rrugëve në Tetovë asnjëherë nuk është bërë i plotfuqishëm, pasi, sipas tyre, katër qeveritë e udhëhequra nga BDI-ja pas vitit 2007 nuk e kanë proceduar atë në Qeveri.
Sipas reagimit, për këtë arsye emërtimet nuk kanë figuruar as në Kadastër dhe as në Regjistrin Qendror. Nga komuna vlerësojnë se gjykatësit shqiptarë në Gjykatën Kushtetuese nuk është dashur të lejonin hapjen e kësaj procedure në një kohë kur, siç theksojnë, Komuna e Tetovës është afër finalizimit të riemërtimit zyrtar të rrugëve.
Komuna e Tetovës pretendon se pas kësaj nisme fshihet një tendencë për krijimin e tensioneve ndëretnike dhe akuzon një parti politike se qëndron pas saj.
Reagimi i plotë:
“REAGIM
Gjykatësit shqiptarë të Gjykatës Kushtetuese, të zgjedhur nga pushteti i kaluar, në vend se ta mbrojnë interesin shqiptar në atë institucion, po merren me politikë ditore.
E vërteta është se vendimi për riemërtimin e rrugëve në Tetovë asnjëherë nuk u bë i plotfuqishëm, për shkak se 4 qeveritë e BDI-së pas vitit 2007 nuk e kaluan si vendim në Qeveri. Prandaj ato nuk figuruan kurrë as në Kadastër e as në Regjistrin Qendror.
Pavarësisht kësaj, gjykatësit shqiptarë në Gjykatën Kushtetuese nuk duhej të lejonin të hapet kjo procedurë në kohën kur Komuna e Tetovës është pranë finalizimit të riemërtimit zyrtar të rrugëve në Tetovë.
Tendenca është e qartë: të krijohen tensione ndëretnike. Ndërsa pas kësaj tendence qëndron partia e cila i shpërndanë zyrtarisht deklaratat e një gjykatësi kushtetues”, përfundojnë nga Komuna e Tetovës./tetova1.mk
Burimi: lajmpress.org



