Analisti politik Ramadan Ramadani ka vlerësuar dy projektligjet e fundit të miratuara nga Qeveria me propozim të koalicionit shqiptar qeverisës VLEN, si vendime që adresojnë probleme reale të qytetarëve shqiptarë, veçanërisht të rinjve dhe nxënësve të medreseve.
Në një status të publikuar, Ramadani sjell dy skena konkrete për të ilustruar rëndësinë e këtyre ligjeve. E para ka të bëjë me kufizimin e distancës së objekteve të lojërave të fatit nga shkollat dhe zonat e banuara, për të parandaluar qasjen e të rinjve ndaj kumarit. Ai përshkruan situatën e një të riu që gjatë pushimeve mes orëve të mësimit, mund të tundohen të shpenzojnë paratë e ushqimit në makinat e lojërave të fatit të vendosura pranë shkollës.
“Me këtë projektligj, nëse këto do të largohen dhe vështirësohet qasja deri tek to, edhe fizikisht edhe në kohë, atëherë kanë shpëtuar krejt: ai djali i ri, paratë dhe ushqimi”, shkruan Ramadani.
Skena e dytë lidhet me pamundësinë e vajzave që ndjekin medresetë për të vijuar shkollimin e mëtejshëm, për shkak të mosnjohjes së diplomave të këtyre institucioneve nga shteti – një situatë që Ramadani e lidh me vendimet e mëparshme të Qeverisë nën ndikimin e BDI-së.
Sipas tij, vendimi për të mospranuar diplomat e medreseve i ktheu ato në një copë letër pa vlerë, të përshtatshme vetëm “për çejz ose fotografi”. Ai akuzon BDI-në për zhurmë boshe dhe “zgjidhje tarzaneske”, duke bërë paralelizëm me mënyrën sipërfaqësore si janë trajtuar problemet ndër vite.
“Këto dy punë nuk janë kryer ende plotësisht, sepse ligjet ende nuk janë miratuar në Parlament, por kjo është mënyra e duhur. Jo me ba si Tarzan dhe me kalu zortin edhe ditën dhe të mbesin punët pezull”, shkruan Ramadani, duke theksuar dallimin në qasjen e VLEN-it ndaj problemeve të qytetarëve.
Ai përmend gjithashtu edhe vendimet e mëhershme të BDI-së për kategorizimin e shqiptarëve si “rezident” dhe “jo-rezident”, që u rrëzuan nga Gjykata Kushtetuese, si dëshmi e qasjes së gabuar dhe të papërgjegjshme të kësaj partie në qeverisje.
Ramadani përfundon se veprimet e fundit të VLEN-it, përfshirë edhe projektligjin për përfaqësim adekuat, dëshmojnë për një mënyrë të re dhe serioze të të bërit politikë.
“Të urojmë t’i kryejnë sa më shpejt dhe njerëzit të mos kenë më kësi mundime dhe vështirësi”, shkruan ai në përfundim.


