Pas incidentit të ndodhur një ditë më parë pranë Kuvendit gjatë protestës dhe deklaratave të kryeministrit Edi Rama për File Bulkun dhe djalin e saj me spektër autik, Endin, është shtuar vala e solidaritetit në mbështetje të familjes.
Një fushatë në platformën GoFundMe ka arritur të mbledhë deri më tani rreth 150 mijë dollarë.
File Bulku ka sqaruar se ditën e ngjarjes nuk ishte pjesë e protestës, por po kthehej pasi kishte dërguar të birin në terapi. Sipas saj, për shkak të rrugëve të bllokuara u gjend pranë zonës së protestës dhe u prek nga uji me piper i përdorur nga policia.
Ajo ka mohuar pretendimet e kryeministrit Edi Rama se ishte përdorur si “mburojë” gjatë protestës, duke i bërë thirrje kreut të qeverisë të përballet publikisht me të.
Nga ana tjetër, Rama e cilësoi si “hipokrit” solidaritetin e protestuesve, duke i akuzuar se e kishin çuar pranë Parlamentit “për ta abuzuar atë nënë, bashkë me fëmijën”, krahasim që e lidhi me praktika të përdorura, sipas tij, nga organizata terroriste.
Ndërkohë, organizata jofitimprurëse “Brandon Forever 22 Legacy” ka nisur një fushatë humanitare për të ndihmuar File Bulkun dhe djalin e saj.
Sipas organizatorëve, familja jeton në kushte të vështira dhe banesa e tyre ka nevojë për rikonstruksion urgjent. Fillimisht fushata synonte të mblidhte 85 mijë dollarë për rehabilitimin e banesës dhe mbulimin e trajtimit e kujdesit për Endin, por kontributet kanë tejkaluar objektivin, duke arritur deri tani në rreth 150 mijë dollarë.
Organizatorët u kanë bërë thirrje qytetarëve të vazhdojnë të kontribuojnë sipas mundësive, duke theksuar se fondet do të përdoren për të përmirësuar kushtet e jetesës së familjes dhe për të garantuar mbështetjen e nevojshme për djalin me spektër autik.
Burimi: botasot.info


