Në të gjithë Evropën dhe Shtetet e Bashkuara, kompanitë e mbrojtjes janë të zëna duke zhvilluar raketa të vogla dhe të lira.
Më 9 shtator, NATO u detyrua të ngrinte avionë F-16 për të rrëzuar dronët rusë që kaluan kufirin në Poloni.
Raketa me vlerë rreth 570 mijë euro u qëlluan për të kapur dronët Shahed, secila me vlerë më pak se një të dhjetën e asaj shume, dhe gjysma e përpjekjeve ishin të pasuksesshme.
Në përgjigje, udhëheqësit evropianë janë zotuar të krijojnë një “mur dronësh” në krahun lindor të NATO-s, i cili do të përfshinte sisteme të ndryshme të luftës elektronike dhe përgjimit, shkruan Telegraph.
Një nga kompanitë është Frankenburg Technology, kryeshefi ekzekutiv i së cilës Kusti Salm ka zbuluar projektin e raketave Mark 1 kundër sulmeve nga dronë rusë.
Me vetëm 65 centimetra gjatësi, raketa është më e vogël se dora mesatare e njeriut. Mund të fluturojë vetëm dy kilometra dhe do të kishte vështirësi të funksiononte në vapën e shkretëtirës ose të ftohtin arktik.
Ajo arrin një ekuilibër midis pjesëve të lira dhe saktësisë së përgjithshme, të cilën kompania synon ta rrisë në 90 për qind – aktualisht është rreth 56 për qind, raporton KosovaPress.
“Ne nuk kërkojmë falje për faktin që prodhojmë armë. Ne nuk kemi frikë të themi se po i ndërtojmë ato për të rrëzuar dronë rusë me rreze të gjatë veprimi. Dhe nuk kërkojmë falje për faktin se kjo do të jetë aftësia më e nevojshme në botën perëndimore në pesë deri në dhjetë vitet e ardhshme”, tha Salm, një ish-zyrtar i lartë në Ministrinë e Mbrojtjes së Estonisë.
Fabrikat e prodhimit Mark 1 janë ngritur tashmë në dy vende anëtare të NATO-s, me qëllim prodhimin e qindra raketave në ditë. Edhe pse nuk e zbulon çmimin, Salm thotë se është rreth një e dhjeta e kostos së sistemeve ekzistuese të mbrojtjes ajrore sikurse raketa Stinger në vlerë rreth 500 mijë euro.
Ka sfida unike në përpjekjen për të futur një kokë rakete, sensorë dhe karburant në një raketë që nuk është shumë më e gjatë se një tastierë. Në një raketë kaq të vogël, ndërsa karburanti digjet, ndryshimi në peshë ndikon në mënyrë dramatike në këndin e sulmit.
Ekipi i Frankenburgut eksperimentoi me “formën, pozicionin e krahut, qendrën e gravitetit, qendrën e presionit, e dini, të gjitha ato gjëra” për të maksimizuar saktësinë, thotë Salm. Për të zgjidhur këtë sfidë me një buxhet të kufizuar, Frankenburg rekrutoi disa nga mendjet më të mëdha në këtë fushë.
Inxhinieri kryesor është Andreas Bappert, i cili projektoi sistemin shumë të kërkuar të mbrojtjes ajrore Iris-T, i cili tani është në përdorim në NATO dhe Ukrainë.
Ata gjithashtu punësuan një inxhinier kryesor i cili punoi në projektin e raketave Spear III në MBDA UK, një projekt kyç i mbrojtjes britanike.
“Gjenitë letoneze” gjithashtu iu bashkuan ekipit. Ata bëjnë gjëra që nuk mund t’i mësosh në një fundjavë nga një video në YouTube, siç mund të bësh me dronë. Nuk ka libra ‘Shkenca e raketave për fillestarët’ që mund të porosisni nga Amazon,” tha Salm.
Inxhinierët kryesorë dalin në pah kur gjërat shkojnë keq. “Kur të gjithë kanë një pikëpyetje të madhe mbi kokat e tyre sepse askush nuk e di se çfarë po ndodh, ai djalë me 30 vjet përvojë kujton, për shembull, testimin që bëri në vitin 2006 që zbuloi se kishte një problem të vogël me një copë që kishte një çarje – dhe është e njëjta gjë edhe këtu”, thotë Hoffmann.
Salm arrin në përfundimin se Frankenburg tërheq talente për shkak të misionit të tij të thjeshtë.
Burimi: botasot.info


