Kandidati i koalicionit VLEN për kryetar të Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka publikuar në faqen e tij zyrtare në Facebook një video emocionuese që trajton një nga sfidat më të heshtura me të cilat përballen çdo ditë shumë familje në Çair, mungesën e ashensorëve në ndërtesat e vjetra banesore.
Në mes të Çairit, mes ndërtesave të ndërtuara para dekadash, banorët ngjiten çdo ditë kat pas kati, shpesh të lodhur, me qese në duar ose duke mbajtur fëmijët.
“Për prindërit tanë, për të moshuarit, për nënat që mbajnë fëmijët në duar, një ashensor nuk është luks, është dinjitet, është jetë më e lehtë,” theksohet në videon e publikuar nga Mexhiti.
Në kuadër të projektit të paralajmëruar, në ndërtesat 4 ose 5 katëshe pa ashensorë do të investohen 2 milionë euro nga kredia hungareze për vendosjen e tyre. Ky investim do të lehtësojë jetën e mijëra banorëve, sidomos për të moshuarit dhe personat me nevoja të veçanta.
Në video, qytetarët e Çairit shprehin mirënjohje për këtë nismë:
“Nëse bëhen ashensorët, bëhet më mirë për krejt, edhe për neve,” thotë një qytetare.
“Ashensorët janë të nevojshëm, njerëzit siç plaken nuk mund të ngjiten. Ashensori është zgjidhja më e mirë që e propozon Izet Mexhiti,” shton një tjetër.
Një i moshuar 70-vjeçar u shpreh: “Gjithçka që bëhet është mirë, edhe për prindërit edhe për mua. Edhe mua më duhet.”
Ky projekt, siç thekson Mexhiti është projekt respekti, kujdesi dhe modernizimi për çdo familje të Çairit.
“Çairi meriton të ngjitet më lart. Me zemër për qytetarin. Me vepra, jo me fjalë,” përfundon mesazhi i Izet Mexhitit në videon e publikuar në faqen e tij zyrtare në rrjetin social Facebook.


