Me propozim të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Qeveria ka marrë vendim për hapjen e Ambasadës së Republikës së Maqedonisë së Veriut në Republikën e Lituanisë, me seli në Vilnius.
Nga Ministria bëjnë të ditur se vendosja e një pranie të përhershme diplomatike rezidente në Vilnius do të kontribuojë në forcimin e dialogut të drejtpërdrejtë politik mes dy vendeve, përfaqësim më efikas të interesave kombëtare dhe avancimin e bashkëpunimit bilateral me këtë shtet mik të rëndësishëm.
“Ambasada në Vilnius do të ketë edhe rol më të gjerë rajonal, duke përfaqësuar pikë qendrore për mbulimin e shteteve të tjera baltike në sferat politike, ekonomike, kulturore, konsullore dhe në fusha të tjera me interes të përbashkët”, thuhet në njoftim.
Republika e Lituanisë konsiderohet ndër anëtaret më aktive të Bashkimit Evropian dhe NATO-s në fushën e politikave të sigurisë dhe zgjerimit të BE-së, si dhe një shtet që vazhdimisht mbështet procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.
Marrëdhëniet e afërta dhe partneriteti ndërmjet dy vendeve, sipas MPJ-së, janë konfirmuar edhe me vendimin e palës lituaneze për hapjen e një zyre në Shkup në nëntor të vitit 2023.
Me këtë vendim, Ambasada e Maqedonisë së Veriut në Varshavë nuk do të jetë më përfaqësi diplomatiko-konsullore përgjegjëse për Lituaninë në bazë jorezidente, thuhet në kumtesën e Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Burimi: alfax.mk


