Një protestues ironizoi kryeministrin Edi Rama në lidhje me deklaratat e tij të bëra së fundmi pas skandalit të ish drejtueses së Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni, i cili tha se përgjegjësia është individuale.
I riu përmendi se si kryeministri në skandalet që kanë përfshirë qeverinë e tij, në fillim ka mbrojtur personat e përfshirë dhe më pas kur janë përballur me drejtësinë, i ka lëshuar duke tentuar që ta shesë përgjegjësinë si individuale.
Ai përmendi gjithashtu edhe operacionin e sotëm të SPAK, ku me urdhër të GJKKO, u ushtruan kontrolle në banesën dhe zyrat e Ron Yeffet si dhe ndaj personave të tjerë të lidhur me kompaninë shtetërore KAYO.
Në fund, ai i drejtohet kryeministrit me pyetjen se kush duhet të mbajë përgjegjësi për personat që ka emëruar, promovuar, apo mbrojtur politikisht.
“Rama ka folur për sukses, ndërsa më gjerësisht ka folur SPAK me raporte. Për çdo ministër apo zyrtar që është përballur me drejtësinë, fillimisht i ka mbrojtur, më pas ka bërë si i habitur sikur e kanë prerë në besë misionin e tij të pastër. Kur shpërtheu skandali i inceneratorëve, Rama tha se ishte krenar për këtë vepër dhe kur u pyet për korrupsionin e quajti devijim individual. Pra projekti ishte i qeverisë kur duhej të mbrohej, por kur erdhi dita e llogarisë, përgjegjësia ishte e individit. Debati u zhvendos nga përgjegjësia politike te pyetja nëse ka akuza ndaj Ramës. Sipas Ramës, përgjegjësia fillon vetëm kur ka aktakuzë.
Sot SPAK bëri kontrolle në vilën e Ron Yeffet dhe sekuestroi telefonin e Ardi Veliut. Sot Rama e paraqet si sukses KAYO-n, por kur nesër të plasë skandali do të thotë se e respekton drejtësinë dhe përgjegjësia është individuale. Kur u kthye nga Amerika, Rama tha se përgjegjësia e tij politike është një: reforma në drejtësi. Po për njerëzit që ke emëruar, promovuar, mbrojtur politikisht, vendimet që ke mbështetur, projektet që ke reklamuar, skandalet që kanë shpërthyer njëri pas tjetrit kush do të përgjigjet? Kur fillon përgjegjësia e një kryeministri?”, tha i riu.
Burimi: botasot.info


