Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda – Njësiti kundër Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit, ka njoftuar se ka ndaluar dy persona nën dyshimin për korrupsion dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Sipas komunikatës, më 21 gusht 2025, me vendim të Prokurorit janë arrestuar dy zyrtarë publik për shkak të veprave penale “Marrja e Ryshfetit” (neni 421) dhe “Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar” (neni 414) të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Hetimet e deritanishme tregojnë se të dyshuarit, me qëllim të përfitimit pasuror të kundërligjshëm, kanë kërkuar dhe pranuar para në dorë nga një qytetar, në mënyrë që ky i fundit të kalonte testin teorik për patentë shofer. Pas dhënies së shumës së parave, i dëmtuari e ka kaluar testin.
Prokuroria ka caktuar masën e ndalimit prej 48 orësh ndaj të dyshuarve, ndërsa brenda afateve ligjore pritet të ndërmerren veprimet e tjera procedurale.
Në njoftim theksohet se Prokuroria e Shtetit mbetet e përkushtuar në luftimin e korrupsionit dhe kriminalitetit, duke paralajmëruar se do të përdoren të gjitha mjetet ligjore për parandalimin e këtyre dukurive dhe për dërgimin para drejtësisë të çdo personi të përfshirë.
Burimi: botasot.info


