Prindërit e 63 të rinjve që humbën jetën një vit më parë nga zjarri në diskotekën “Puls” në Koçan, i bënë thirrje sot Parlamentit të Maqedonisë së Veriut që të përcaktojë përgjegjësinë institucionale dhe politike për këtë katastrofë, duke denoncuar bllokadën e hetimeve parlamentare.
Përmes një letre publike drejtuar Komisionit të Përhershëm Anketues për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Qytetarëve, familjet e viktimave kërkuan miratimin e menjëhershëm të 10 konkluzioneve për të zhbllokuar punën e trupit hetimor, i cili ka mbetur i paralizuar për shkak të mosmarrëveshjeve politike mes partive në pushtet dhe opozitës.
“Familjeve nuk u nevojiten më fjalë, u nevojiten veprime. Vërteta nuk mund të varet nga marrëveshjet politike e as përgjegjësia të ketë ngjyrë partiake,” thuhet në deklaratën e Shoqatës së Prindërve.
Tragjedia e 16 marsit 2025 në diskotekën “Puls”, ku përveç 63 të vdekurve mbetën të plagosur edhe më shumë se 200 persona të tjerë, tronditi vendin ballkanik dhe nxori në pah dështimet e rënda të kontrollit shtetëror mbi sigurinë e objekteve publike.
Prindërit kërkojnë një hetim të plotë për të gjitha lejet dhe licencat e lëshuara për diskotekën, si dhe hetimin e zyrtarëve dhe policëve që mund të kenë mbyllur sytë përballë shkeljeve ligjore.
“Pyetja kyçe është: A do të punonte ‘Puls’ më 16 mars sikur institucionet kompetente të kishin vepruar me kohë dhe sipas ligjit?”, nërmarrin prindërit në kërkesën e tyre.
Pavarësisht premtimeve, puna e Komisionit Anketues mbetet e pezulluar. Opozita socialdemokrate (SDSM) nuk ka deleguar ende anëtarët e saj, ndërsa konservatorët në pushtet (VMRO-DPMNE) refuzojnë të paralelizojnë procedurat me komisionet e tjera ekzistuese.Përveç procedurave penale në gjykata, familjet kërkojnë ndryshime të rrepta ligjore për sigurinë e objekteve, mbështetje financiare dhe afatgjatë për të mbijetuarit, si dhe caktimin e afateve me përgjegjësi të qartë zyrtare.(INA)
Burimi: lajmpress.org



