Procesi i zgjedhjes së Presidentit të Kosovës po tregon qartë bllokadën politike që karakterizon vendin në ditët e sotme.
Përplasjet mes partive, mungesa e kompromisit dhe përpjekjet për të kontrolluar institucionet qeverisëse kanë bërë që vendimi për një figurë të rëndësishme si Presidenti të mbetet i pazgjidhur.
Rasti i fundit i zgjedhjes së Presidentit është shembulli më i freskët se si politika e bllokimit po pengon proceset themelore demokratike në vend.
Derisa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar ditë më parë me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, për të diskutuar zgjedhjen e Presidentit të Kosovës. Sipas deklaratave të Hamzës pas takimit, PDK-ja insiston që Presidenti të vijë nga radhët e tyre.
Drejtori Ekzekutiv i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, Agim Aliçkaj, në një prononcim për “Bota sot”, thekson se zgjedhja e Presidentit të Kosovës është e vështirë për shkak të Kushtetutës dhe ndikimit të partive politike.
Ai propozon zgjedhje direkte nga populli, por partitë e mbajnë Presidentin nën kontroll. Takimet për kandidat konsensual mes Kryeministrit Kurti dhe opozitës dështojnë, duke treguar se opozita përdor vetëm shantazh dhe bllokim politik.
“Problemi i zgjedhjes së Presidentit të Kosovës fillon me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Hartuesit e Kushtetutës kanë supozuar se ajo do të zbatohej nga një klasë politike e avancuar, në të cilën partitë politike e kanë prioritet interesin e shtetit — gjë që momentalisht mungon në Kosovë.
Nuk është e mundur që një President të jetë i paanshëm nëse varet nga votat e deputetëve partiakë. Prandaj, është i nevojshëm ndryshimi i Kushtetutës që Presidenti të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli. Megjithatë, edhe kjo është pothuajse e pamundur, sepse bosët partiakë preferojnë ta mbajnë Presidentin nën kontrollin e tyre.
Takimet e Kryeministrit Kurti me krerët e partive opozitare për të gjetur një kandidat konsensual që do t’i siguronte votat e nevojshme po rezultojnë të pasuksesshme dhe zhgënjyese. Është e qartë se opozita nuk e ka të qartë plotësisht se i ka humbur zgjedhjet. Mjeti i vetëm që u ka mbetur vazhdon të jetë shantazhimi i fituesit dhe bllokimi i demokracisë dhe i shtetit”, shprehet ai.
Derisa, për takimin me Kurtit dhe Hamzës, ai kritikon këtë të fundit dhe PDK-në për të kërkuar President kukull të tyre pa u fokusuar tek kualifikimet, ndërsa qytetarët mbështesin rizgjedhjen e Vjosa Osmanit për arritjet dhe aftësitë e saj.
“Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, pas takimit me Kurtin deklaroi se Presidenti duhet patjetër të vijë nga PDK-ja, në stilin “bëj çfarë të duash, por livadhin ma lër mua”. Ai ende nuk ka as emrin e kandidatit, por kjo nuk ka rëndësi për të, përderisa është “konsensual” brenda partisë së vet. Kjo nuk është kompromis; kjo është shkarravitje e shtetit.
Ajo që është edhe më interesante dhe krejtësisht e pakuptueshme është se as Bedri Hamza dhe as të tjerët nuk flasin fare për aftësitë dhe kualifikimet që duhet të ketë një kandidat për President. Nuk ka rëndësi nëse di të lidhë dy fjali në shqip apo disa fjalë në anglisht, nëse ka arsimim, paraqitje personale apo përvojë diplomatike. Mjafton që të jetë kukull e tyre dhe ta lëvizin sipas nevojës për interesa individuale dhe partiake, jo për interesa shtetërore.
Sondazhe të shumta dhe paraqitje të panumërta në media ditët e fundit tregojnë se populli i Kosovës dëshiron që zonja Vjosa Osmani të rizgjidhet Presidente e Kosovës edhe për një mandat tjetër. Arritjet e saj gjatë këtyre pesë viteve në arenën ndërkombëtare janë të mëdha dhe të pakontestueshme.
Kundërshtarët e saj as që i përmendin aftësitë dhe sukseset e Presidentes Osmani. Arsyet kryesore që ata pretendojnë për të mos e mbështetur janë se ajo gjoja nuk është mjaftueshëm unifikuese dhe se është “notere” e Kryeministrit — akuza pa asnjë bazë dhe pa logjikë”, deklaron ai.
Në fund, Aliçkaj thekson se Vjosa Osmani është e vetmja që unifikon popullin dhe ka mbështetje të gjerë, ndërsa opozita synon vetëm bllokimin e saj për interesa politike.
Ai nxit Kryeministrin Kurti ta kandidojë sërish, duke paralajmëruar se populli nuk do të pranojë eliminimin e saj.
“Pas refuzimit dinjitoz dhe të mençur të z. Murat Jashari, nuk ekziston asnjë person tjetër në Kosovë që e unifikon popullin me 80% mbështetje popullore si Vjosa Osmani. Bashkëpunimi me Kryeministrin e vendit nuk është çështje preference personale, por detyrë. Kandidati “konsensual” i opozitës mund të jetë vetëm ndonjë qyqan që u thotë lepe peqe të gjithëve, ose dikush që ata mund ta vizatojnë sipas dëshirës së tyre.
Qëllimi i z. Bedri Hamza dhe i krerëve të tjerë të opozitës jokonstruktive është i qartë: duke bllokuar votën për Presidenten Osmani, ata synojnë ta detyrojnë z. Kurti të nominojë dikë tjetër dhe t’i përçajnë mes vete. Kjo është e vetmja mënyrë për të përfituar diçka, duke dobësuar mbështetjen popullore për Kryeministrin Kurti dhe koalicionin e tij.
Populli i Kosovës shpreson që, megjithatë, Kryeministri Kurti do ta kandidojë zonjën Vjosa Osmani për Presidente. Nëse deputetët e opozitës guxojnë që në raundin e tretë të mos e kryejnë detyrën e tyre për votim dhe ta lëshojnë Parlamentin së bashku me partinë armiqësore “Lista Srpska”, duke shkaktuar zgjedhje të reja të jashtëzakonshme, mund t’i thonë lamtumirë marrjes së pushtetit për një kohë të gjatë.
Presidentja Osmani gëzon gjithashtu simpatinë dhe mbështetjen e faktorit ndërkombëtar, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për pesë vite, opozita e ka lodhur popullin me akuza kundër Kurtit për “prishje me miqtë” dhe “anti-amerikanizëm”. Tani nuk e kanë problem ta largojnë Presidenten Vjosa Osmani, edhe nëse kjo do të dëmtonte marrëdhëniet me Amerikën.
Le ta dinë mirë të gjithë politikanët se populli i Dardanisë nuk mashtrohet lehtë. Ky popull nuk do të lejojë eliminimin e një lidereje të fortë si Vjosa Osmani thjesht për shkak të aftësive dhe arritjeve të saj të jashtëzakonshme” – përfundon ai për “Bota sot”.
Burimi: botasot.info


