pezullimi i ballukut qeveria nderhyrje ne ekzekutiv 692627dc3bdef

Pezullimi i Ballukut, qeveria: Ndërhyrje në ekzekutiv

November 26, 2025
min lexim

Më 21 nëntor, Këshilli i Ministrave iu drejtua Gjykatës Kushtetuese me një shkresë për të pezulluar vendimin e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila pezulloi nga detyra Belinda Ballukun nga postet e zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë.



Në këtë shkresë të siguruar nga Klan News, ku kërkues është Kryeministri Edi Rama, argumentohet se lënia në fuqi e vendimit të GJKKO-së “do të sillte pasoja të pariparueshme për qeverisjen e vendit, duke krijuar vakuum institucional”.

“Lënia në fuqi e vendimit të GJKKO-së, objekt i kësaj kërkese, do të sillte pasoja të pariparueshme për qeverisjen e vendit, duke krijuar vakuum institucional, mosfunksionim të Këshillit të Ministrave dhe pamundësi për ushtrimin e përgjegjësive dhe të kompetencave që Kushtetuta dhe legjislacioni në fuqi i njeh ekskluzivisht pushtetit ekzekutiv. Theksojmë se pezullimi i një ministri apo zëvendëskryeministri, përveçse shkakton mosfunksionalizim të Këshillit të Ministrave si një organ kolegjial i pushtetit ekzekutiv, njëkohësisht pezullon veprimtarinë e pushtetit ekzekutiv në fushën e përgjegjësisë së ministrit dhe të zëvendëskryeministrit të pezulluar”.

Më tej renditen edhe pasojat që mund të sjellë mungesa e ministrit në detyrë.

“Mungesa e ushtrimit të pushtetit ekzekutiv, qoftë edhe në një fushë të përgjegjësisë, sjell pasoja të rënda për interesin shtetëror e shoqëror, duke krijuar vakuum institucional në realizimin e pushtetit ekzekutiv, por edhe të vetë pushtetit legjislativ, pasi pamundëson propozimin e projektakteve me rëndësi kombëtare për integrimin në Bashkimin Evropian, rreth 800 projektakte për t’u miratuar deri në fund të vitit 2027, nga ministria që udhëhiqet nga ministri i cili është pezulluar nëpërmjet vendimit të GJKKO-së”.

Kryeministri në argumentet e tij rendit edhe arsyet pse ky pezullim është antikushtetues.

“Cenon garancinë e imunitetit të anëtarit të Këshillit të Ministrave, i cili, sipas pikës 3 të nenit 103 të Kushtetutës, gëzon imunitetin e deputetit.

Cenon parimin e ndarjes së pushteteve, të parashikuar në nenin 7 të Kushtetutës, duke vendosur pezullimin nga detyra të ministrit, si organ kushtetues i një pushteti tjetër, dhe pengon veprimtarinë e Këshillit të Ministrave.

Ndërhyn në kompetencat e organeve kushtetuese që kryejnë propozimin, emërimin dhe miratimin e ministrit në detyrë“.

Në përfundim të shkresës së firmosur nga vetë Rama, kërkohet shfuqizimi i këtij akti pezullimi, duke zgjidhur edhe mosmarrëveshjen e kompetencës së krijuar ndërmjet GJKKO-së dhe Kryeministrit.

Gjykata e Posaçme pezulloi nga detyra zv.kryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, duke i ndaluar gjithashtu të drejtën për të dalë jashtë vendit. Ajo akuzohet për tenderin e tunelit të Llogarasë dhe atë të lotit 4 të Unazës së Madhe.

Ndërsa në arrest shtëpie janë edhe dy zyrtarët: kreu i ARSH-së, Gentian Gjyli, dhe drejtori i KESH-it, Erald Elezi./ Klan News

Burimi: opinion.al

VERO JUMBO MACEDONIA

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

pakistani kryen sulme ndaj afganistanit humbin jeten 9 femije dhe nje grua 6926231b55167
Lajmi i mëparshëm

Pakistani kryen sulme ndaj Afganistanit, humbin jetën 9 fëmijë dhe një grua

zelensky jemi gati te ecim perpara me planin e paqes 69262902d9e3e
Lajmi i radhës

Zelensky: Jemi gati të ecim përpara me planin e paqes

Të fundit nga

ShkoLartë