Në Prizren është zbuluar shtatorja e heroit të kombit, ish-komandantit të Zonës së Pashtrikut të UÇK-së, Tahir Sinani. Figura e tij u lartësua lartë nga institucione të qeverisjes lokale dhe gjeneralë të luftës.
Përurimi i shtatores së bronztë është bërë sot, në festën e shqiptarëve të 28 nëntorit, pranë u “Parkut të Qytetit” në Prizren.
Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj theksoi se kjo shtatore nuk është vetëm një monument, por e konsideroi akt institucional ruajtjen e figurës së tij.
Figura e Tahir Sinanin është më shumë se një biografi lufte, theksoi Totaj
“Sot pata kësaj shtatoreje unë nuk po qëndroj vetëm për të përuruar një vepër artistike, po qëndroj përballë një kujtese të gjallë, përballë një amaneti që na flet të gjithëve, si me e ruajt figurën, me ruajt të vërtetën dhe me ruajt dinjitetin dhe historinë tonë kombëtare. Nuk dua të flas sot për data dhe fakte, dua të flas për parime. Sepse figura e Tahir Sinanit është më shumë dhe më tepër se sa një biografi lufte. Është një udhëzues moral për të gjithë kombin, ai ishte mishërim i kurajës, besës, i përgjegjësisë ndaj vendit, ishte shembull se si njeriu kur e do lirinë, nuk e kërkon si privilegj. Por i mbron si detyrim, ishte njeri i drejtësisë, përulësisë dhe sakrificës. Ishte prej atyre burrave që nuk kërkoi vend në histori, por historia ua jep vet sepse jetojnë për të tjerët”, theksoi ai.
Gjenerali Kudusi Lama tha se përurimi i kësaj shtatoreje është akt mirënjohje për Tahir Sinani dhe gjithë dëshmorët e rënë në zonën operative të Pashtrikut.
Komandant Tahir Sinani, ai shtoi se nuk u kurse e nuk u ndal për të realizuar aspiratat për kombin.
Përurimi i kësaj shtatoreje është akt mirënjohje për veprën e Tahir Sinanit, tha Lama
“Në këtë ditë të shenjtë, Prizreni po e shton edhe një medalje plus, duke ngritur përmendoren e heroit të kombit, Tahir Sinani. Që normalisht të qenurit e kësaj përmendoreje këtu, ju bën nder Prizrenit dhe luftës së kësaj treve për çlirim. Jam shumë i nderuar që në këtë ditë festive, më jepet fjala për të përshëndetur në këtë ceremoni, të zbulimit të kësaj shtatoreje, nëpërmjet secilës Tahir Sinani dhe vepra e tij e madhe bëhen përjetësisht qytetarë të Prizrenit. Është ky përurim akt mirënjohje që Prizreni i paraqet Tahir Sinanit dhe nëpërmjet tij gjithë dëshmorëve të rënë, të zonës operative të Pashtrikut duke e rritur shenjtërinë e tij të ditëve të shenjta të Shqipërisë”, u shpreh ai.
28 nëntori i sotëm është gëzim i madh edhe për gjeneral Selim Krasniqi nga Këshilli Inicues i cili tha se Tahir Sinani po rikthehet në Prizren i gdhendur në bronztë, si një hero e atdhetar i madh.
Ai bëri thirrje për të menduar më shumë për dinjitetin kombëtar.
Tahir Sinani nuk ndaloi luftën për liri deri në fitore, u shpreh Krasniqi
“Nuk ndaloi për asnjë çast organizimin dhe luftën për liri deri në fitore dhe pas luftës dha një kontribut të çmuar edhe në trupat e mbrojtjes të Kosovës si komandant i zonës së dytë mbrojtjes. Komandant Tahir Sinani ngase ishte betuar se do të luftonte deri në vdekje për çlirimin e trojeve shqiptare mori pjesë aktive edhe për çlirimin e trojeve tona në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc dhe trojeve tona në Maqedoni ku në mesin e luftëtarëve ishte i dashur dhe gjithmonë pranë tyre deri në momentin e rënies në fushën e nderit, ku iu bashkua vargut të heronjve dhe heroinave që derdhën gjakun për liri…të mendojmë më shumë për gjakun e derdhur për liri, të mendojmë më shumë për sakrificat që u bënë ndër brezat të mendojmë më shumë për interest dhe dinjitetin tonë kombëtarë“, tha ai.
Në përurimin e shtatores së Tahir Sinanit, kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi tha se ai e dinte amanetin e të parëve.
Tahir Sinani e kishte ndjerë thirrjen e të parëve të tij, tha Latifi
“Tahir Sinani e kishte ndjerë thirrjen e të parëve të tij, thirrjen e Ali Ibrës, Mic Sokolit, Avdyl Frashërit, e Imer Prizrenit, Bajram Currit e Sylejman Vokshit dhe të shumë trimave të Malësisë së Gjakovës që i vun gjokset e tyre para topave për të mbrojtur tokat shqiptare nga copëtimi i fqinjëve grabitqar. Tahir Sinani e dinte se populli shqiptar duhet ta kryente këtë amanet. Prandaj përveshi mëngët dhe u rreshtua në Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në UÇK-në për Medvegjë, Preshevë e Bujanoc dhe përfundoi rrugëtimi e tij atdhetar me nder e lavdi të madhe në UÇK”, tha ai.
Djali i Tahir Sinanit, Rrezarti ka folur para të pranishmëve dhe tha se “gjaku i dëshmorëve është gurthemel i të ardhmes tonë”.
Gjaku i dëshmorëve është gur-themel i të ardhmes tonë, u shpreh Sinani
“Gëzuar ditën e Flamurit qofshin gjithmonë të bashkuar dhe së bashku ta qojmë përpara amanetin, ëndrrën dhe idealin e atyre që dhanë jetën për komb dhe flamur. Gjaku i dëshmorëve është gur themel i të ardhmes tonë dhe nuk duhet të ndalojmë deri në ditën kur çdo trevë shqiptare të bashkohet me një flamur me një qëllim. Sot në këtë ditë të shenjtë në Prizrenin historik u bë e mundur vendosja e shtatores së komandantit të tri luftërave Tahir Sinani. Një shtatore që do të qëndroj përjetësisht krahas shtatores së komandantit legjendar, Adem Jashari dhe krahas të gjithë atyre bijve dhe bijave që dhanë jetën dhe sakrifikuan gjënë më të shenj për këtë kombë“, tha ai.
28 Nëntori shënon daljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pavarësinë e Shqipërisë dhe ditëlindjen e komandantit legjendar, Adem Jashari.
Burimi: botasot.info


