Një dizajnere e re nga New Yorku ka nisur një betejë ligjore ndaj markës së modës “Skims” të Kim Kardashian, e cila vlerësohet se ka vlerë rreth pesë miliardë dollarë (4.26 miliardë euro). Ajo pretendon se “Skims” i ka marrë emrin e biznesit dhe e ka shndërruar atë në një linjë produktesh që sot, sipas padisë, gjeneron qindra miliona të ardhura.
Në padi thuhet se “Skims” e ka lansuar koleksionin “Fits Everybody” pavarësisht paralajmërimeve të përsëritura nga marka më pak e njohur “Fits Everybody To A T”, e cila thotë se e ka siguruar të drejtën mbi këtë emërtim vite më parë, shkruan DailyMail.
Sipas dokumenteve të paraqitura në Gjykatën Federale për Distriktin Jugor të New Yorkut, “Skims” e lansoi linjën e kontestuar pasi kishte marrë “paralajmërime të përsëritura dhe të qarta” për të drejtat e markës më të vogël, dhe më pas e zhvilloi atë në një nga koleksionet më të suksesshme të kompanisë. Në padi pretendohet se brendi i Kim Kardashian po e përdor famën dhe fuqinë e tij në treg për të dominuar, edhe pse – sipas paditëses – nuk ka të drejtë ta përdorë këtë emër.
“Nëse do të ishte një kompani me më pak burime, pas këtyre paralajmërimeve do ta rishikonte vendimin. Por i padituri, me mbështetjen e pasurisë dhe ndikimit të Kim Kardashian, nuk kishte arsye ta bënte”, thuhet në padi.
Pronarja e biznesit të vogël, Denise Cesare, deklaron se e ka ndërtuar markën e saj vite përpara se të shfaqej “Skims”, por më pas u “hijëzua dhe u shty mënjanë”. Padia e përshkruan rastin si një “shembull tipik të shkeljes së qëllimshme” nga një përdorues shumë më i ri dhe më i fuqishëm, në dëm të atij që e kishte përdorur emrin më herët.
Denise Cesare (61 vjeçe) shet rroba plazhi dhe veshje me markën e saj prej gati një dekade, ndërsa Kardashian (45) e ka themeluar “Skims” në vitin 2019. Avokatja e saj, Jessica Mathews, tha se kjo është një “shembull klasik i konfuzionit të kundërt” – një term juridik që përshkruan situatën kur një kompani e madhe e merr emrin e një marke të vogël dhe e mbush tregun aq shumë, sa konsumatorët fillojnë të mendojnë se marka e vogël është kopje.
“Klientja jonë drejton një biznes të vogël, të vetëfinancuar, të cilin e ka ndërtuar nga zeroja, vite përpara se ‘Skims’ të ekzistonte”, u shpreh Mathews.
Në padi, “Skims” akuzohet se po përdor “burime të mëdha financiare, lidhje me të famshëm dhe marketing të fuqishëm” për ta shtyrë jashtë vëmendjes markën më të vogël, duke bërë që biznesi i Denise Cesare të bëhet pothuajse i padukshëm në kërkimet online.
Beteja ligjore, sipas raportimeve, po zgjat prej vitesh. Përpjekja e “Skims” për të regjistruar markën FITS EVERYBODY në Zyrën Amerikane të Patentave dhe Markave Tregtare (USPTO) ka hasur pengesa, pasi Cesare ka të regjistruara tashmë dy marka federale – një nga viti 2016 dhe një tjetër e miratuar në vitin 2024.
Pikërisht për shkak të këtyre regjistrimeve, USPTO në dhjetor 2025 e refuzoi aplikimin e “Skims”, duke paralajmëruar për “mundësinë e konfuzionit” te blerësit, për shkak të ngjashmërisë së emrit dhe mbivendosjes së produkteve.
“Ligji nuk e ka problem sa i madh je apo sa ndjekës ke. E rëndësishme është kush e ka përdorur i pari emrin”, theksoi avokatja Mathews. Ajo shtoi se “Skims” ishte kërkuar të ndalonte përdorimin e emrit që gati dy vjet më parë, por kompania e kishte refuzuar.
Koleksioni “Fits Everybody”, që përfshin të brendshme dhe produkte formësuese (shapewear), është kthyer në një pjesë kyçe të suksesit të “Skims”. Në padi thuhet se kjo linjë ka sjellë të ardhura në vlerën 650 deri në 830 milionë euro.
Tani Cesare kërkon dëmshpërblim, dorëzimin e fitimit të realizuar nga shitja e linjës së kontestuar, mbulimin e shpenzimeve gjyqësore, si dhe ndalimin e përdorimit të mëtejshëm të emrit. Nëse gjykata vendos në favor të saj, “Skims” mund të humbasë një nga linjat më të njohura dhe të detyrohet të paguajë një shumë të konsiderueshme.
“Skims”, e vlerësuar rreth 4.6 miliardë euro, ende nuk ka dhënë një qëndrim zyrtar për padinë, por ka kërkuar shtyrje të afatit për përgjigje deri më 27 maj. As përfaqësuesit e Kim Kardashian nuk kanë komentuar.
Marka është përballur edhe më herët me probleme ligjore. Në janar 2026, “Skims” u detyrua të paguante rreth 184 mijë euro në një marrëveshje, për shkak të një gabimi në llogaritjen e taksës së shitjes në New Jersey.
Burimi: botasot.info


