Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka paralajmëruar se Shtetet e Bashkuara do të zhvillojnë “ditën më intensive” të sulmeve ushtarake kundër Iranit, ndërsa theksoi se ritmi dhe kohëzgjatja e luftës përcaktohen nga presidenti amerikan Donald Trump.
Në një deklaratë për gazetarët, Hegseth tha se forcat amerikane do të shtojnë operacionet ushtarake brenda territorit iranian, duke përdorur më shumë avionë luftarakë, bombardues dhe sulme ajrore.
Sipas tij, objektivat kryesore të SHBA-së në këtë konflikt janë neutralizimi i aftësive raketore të Iranit, shkatërrimi i flotës detare iraniane dhe pengimi i përhershëm i Teheranit për të siguruar armë bërthamore.
“Ne nuk do të tërhiqemi derisa armiku të mposhtet plotësisht dhe në mënyrë vendimtare”, deklaroi Hegseth.
Nga ana tjetër, zyrtarët iranianë kanë reaguar me tone sfiduese. Zyrtari i lartë iranian Ali Larijani deklaroi se vendi i tij do të vazhdojë të kundërsulmojë, duke theksuar se edhe fuqi më të mëdha nuk kanë arritur ta mposhtin Iranin.
Ndërkohë, Irani ka kryer sulme me raketa dhe dronë kundër Izraelit dhe objektivave në rajon, pasi sulmet amerikano-izraelite kanë vrarë mbi 1,250 persona dhe udhëheqësin suprem të vendit, Ali Khamenei.
Situata është përshkallëzuar edhe në Gjirin Persik, ku Irani ka goditur infrastrukturë energjetike në vendet e Gjirit dhe ka bllokuar kryesisht Ngushtica e Hormuzit, një korridor jetik për tregtinë globale të naftës.
Presidenti amerikan Trump ka paralajmëruar Iranin me “zjarr dhe tërbim” nëse nuk lejon kalimin e anijeve me naftë në këtë ngushticë, ndërsa ushtria amerikane po shqyrton mundësinë e shoqërimit të cisternave të naftës për të garantuar sigurinë e tyre.
Burimi: opinion.al


