pas perplasjeve me shba kanadaja ben pakt me kinen carney takon xi jinping ne pekin jemi ne nje mendje edhe per groenlanden 696a2625c5a6c

Pas përplasjeve me SHBA, Kanadaja bën pakt me Kinën. Carney takon Xi Jinping në Pekin: Jemi në një mendje edhe për Groenlandën

January 16, 2026
min lexim

Kanadaja dhe Kina kanë arritur një marrëveshje fillestare tregtare që do të ulë ndjeshëm tarifat për automjetet elektrike dhe kanolën, tha të premten kryeministri Mark Carney, ndërsa të dy vendet u zotuan të shembin barrierat tregtare dhe të krijojnë lidhje të reja strategjike.

Si kryeministri i parë kanadez që viziton Kinën që nga viti 2017, Carney po synon të rindërtojë marrëdhëniet me partnerin e dytë më të madh tregtar të vendit të tij, pas Shteteve të Bashkuara, pas muajsh përpjekjesh diplomatike.

Kanadaja do të lejojë fillimisht importin e deri në 49 mijë automjeteve elektrike kineze me një tarifë prej 6.1% sipas parimit të “kombit më të favorizuar”, tha Carney pas bisedimeve me udhëheqësit kinezë, përfshirë presidentin Xi Jinping. Ai nuk specifikoi një afat kohor.

Kjo krahasohet me tarifën prej 100% për automjetet elektrike kineze, të vendosur nga qeveria e ish-kryeministrit Justin Trudeau në vitin 2024, pas masave të ngjashme të SHBA-së. Në vitin 2023, Kina eksportoi 41,678 automjete elektrike në Kanada.

“Ky është një kthim në nivelet para tensioneve të fundit tregtare, por nën një marrëveshje që premton shumë më tepër për kanadezët,” u tha Carney gazetarëve në Pekin.

Trudeau e kishte justifikuar tarifën me argumentin se prodhuesit kinezë përfitonin një avantazh të padrejtë në tregun global falë subvencioneve shtetërore, gjë që po kërcënonte industrinë vendase kanadeze.

“Që Kanadaja të ndërtojë sektorin e vet konkurrues të automjeteve elektrike, do të na duhet të mësojmë nga partnerë inovativë, të kemi akses në zinxhirët e tyre të furnizimit dhe të rrisim kërkesën vendase,” tha Carney.

Ai theksoi një partneritet më të fortë me Kinën në ruajtjen dhe prodhimin e energjisë së pastër, duke nxitur investime të reja.

Carney tha se pret që marrëveshja për automjetet elektrike të sjellë investime “të konsiderueshme” kineze në sektorin automobilistik kanadez, të krijojë vende të mira pune në Kanada dhe ta përshpejtojë kalimin drejt një të ardhmeje me emetime neto zero.

PARTNERITETI AGRO-USHQIMOR

Marsin e kaluar, në hakmarrje ndaj tarifave të Trudeau-s, Kina vendosi tarifa mbi më shumë se 2.6 miliardë dollarë produkte bujqësore dhe ushqimore kanadeze, si vaji dhe mielli i kanolës, të pasuara nga tarifa mbi farën e kanolës në gusht.

Kjo çoi në një rënie prej 10.4% të importeve kineze të mallrave kanadeze në vitin 2025.

Sipas marrëveshjes së re, Carney tha se Kanadaja pret që Kina të ulë tarifat për farën e kanolës deri më 1 mars, në një normë të kombinuar rreth 15%.

“Ky ndryshim përfaqëson një ulje të ndjeshme nga nivelet aktuale të kombinuara të tarifave prej 84%,” tha ai, duke shtuar se Kina është një treg prej 4 miliardë dollarësh për farën e kanolës kanadeze.

Kanadaja gjithashtu pret që mielli i kanolës, karavidhet, gaforret dhe bizelet të përfitojnë nga heqja e tarifave diskriminuese që nga 1 marsi, të paktën deri në fund të vitit, shtoi ai.

Marrëveshjet do të zhbllokojnë pothuajse 3 miliardë dollarë porosi eksporti për fermerët, peshkatarët dhe përpunuesit kanadezë, tha Carney.

Në një deklaratë të përbashkët të publikuar nga agjencia shtetërore kineze Xinhua, të dy vendet u zotuan të rifillojnë dialogun ekonomik dhe financiar të nivelit të lartë, të rrisin tregtinë dhe investimet dypalëshe dhe të forcojnë bashkëpunimin në bujqësi, naftë, gaz dhe energji të gjelbër.

Carney tha se Kanadaja do ta dyfishojë rrjetin e saj energjetik në 15 vitet e ardhshme, duke shtuar se ka mundësi për partneritet me Kinën në investime, përfshirë energjinë e erës në det të hapur.

Ai tha gjithashtu se Kanadaja po rrit eksportet e LNG-së drejt Azisë dhe do të prodhojë 50 milionë ton LNG në vit — të gjitha të destinuara për tregjet aziatike deri në vitin 2030.

KINA “MË E PARASHIKUESHME”

“Duke pasur parasysh kompleksitetet aktuale në marrëdhëniet tregtare të Kanadasë me SHBA-në, nuk është surprizë që qeveria e Carney-t është e etur të përmirësojë marrëdhëniet tregtare dhe investuese me Pekinin, që përfaqëson një treg gjigant për fermerët kanadezë,” tha Even Rogers Pay nga Trivium China, me bazë në Pekin.

“Ndërkohë, Uashingtoni e ka të vështirë të kritikojë Carney-n për një marrëveshje të dobishme tregtare, kur vetë Trump bëri të njëjtën gjë në tetor.”

Presidenti amerikan Donald Trump ka vendosur gjithashtu tarifa mbi disa mallra kanadeze dhe ka sugjeruar se aleati i vjetër amerikan mund të bëhet shteti i 51-të i vendit të tij.

Edhe Kina, e goditur nga tarifat e Trump-it, është e interesuar të bashkëpunojë me një vend të Grupit të Shtatë në një sferë tradicionale të ndikimit amerikan.

“Sa i përket mënyrës se si ka përparuar marrëdhënia jonë me Kinën muajt e fundit, ajo është më e parashikueshme dhe po shihen rezultate,” tha Carney kur u pyet nëse Kina ishte një partner më i parashikueshëm dhe më i besueshëm se SHBA-ja.

Carney tha gjithashtu se kishte diskutuar me Xi-në për Groenlandën. “Gjeta shumë përputhje pikëpamjesh në këtë drejtim,” tha ai.

Trump kohët e fundit ka ringjallur pretendimin e tij mbi territorin gjysmë-autonom danez, ndërsa anëtarët e NATO-s janë përpjekur të kundërshtojnë kritikat amerikane se Groenlanda është e pambrojtur mjaftueshëm.

RIVALITETI KINO-AMERIKAN

Analistët thonë se afrimi mund të riformësojë kontekstin politik dhe ekonomik në të cilin zhvillohet rivaliteti kino-amerikan, megjithëse Otava nuk pritet të largohet ndjeshëm nga Uashingtoni.

“Kanadaja është një aleat kyç i SHBA-së dhe thellësisht e integruar në kornizat amerikane të sigurisë dhe inteligjencës,” tha Sun Chenghao, studiues në Qendrën për Siguri dhe Strategji Ndërkombëtare të Universitetit Tsinghua.

“Prandaj është shumë pak e mundshme që ajo të ripozicionohet strategjikisht larg Uashingtonit.”

Por nëse Otava do të ndiqte një politikë ekonomike më pragmatike dhe autonome ndaj Kinës, Pekini mund ta përdorte këtë si dëshmi se shkëputja e udhëhequr nga SHBA-ja nuk është as e pashmangshme dhe as e pranuar gjerësisht nga partnerët më të afërt të Amerikës, shtoi ai.


Top Channel

Burimi: top channel

VERO JUMBO MACEDONIA

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

machado i dorezon trumpit medaljen e nobelit te paqes si simbol mirenjohjeje 696a24746c25b
Lajmi i mëparshëm

Machado i dorëzon Trumpit medaljen e Nobelit të Paqes si simbol mirënjohjeje

baki wahsh shqiptari i arit dhe histori suksesi ne awards business trend 2025 696a293261b6f
Lajmi i radhës

Baki Wahsh, shqiptari i arit dhe histori suksesi në “Awards Business Trend 2025”

Të fundit nga

Mitreska: Inflacioni në Maqedoni ka rënë ndjeshëm

Qëndrimi i politikës monetare të Bankës Popullore synon të sigurojë stabilizim të mëtejshëm të qëndrueshëm të inflacionit dhe pritje të qëndrueshme për inflacionin, tha zv. guvernatorja, Ana Mitreska gjatë një diskutimi në
ShkoLartë