Pas më shumë se dy dekadash pritje, objekti i ri i Shkollës së Mesme “Sami Frashëri” në Kumanovë pritet të vihet në funksion gjatë vitit 2027.
Zëdhënësja e Qeverisë, Venera Latifi Azizi, bëri të ditur se për ndërtimin e shkollës janë siguruar 373 milionë denarë. Punimet kryesore ndërtimore tashmë kanë përfunduar, ndërsa aktualisht po zhvillohen punimet përfundimtare në instalimet elektrike dhe mekanike.
Pas përfundimit të këtyre punimeve dhe procedurave të nevojshme, objekti i ri pritet të hapet për nxënësit gjatë vitit të ardhshëm.
Azizi theksoi se ndërtimi i shkollës është pjesë e investimeve të Qeverisë në infrastrukturën arsimore, duke nënvizuar se Kumanova është përfshirë në projektet e investimeve publike.
“Dikush mund ta ketë harruar Kumanovën, por ne po e rikthejmë në fokusin e Qeverisë, me investime, projekte dhe punë konkrete”, deklaroi Azizi.
Shkolla e Mesme “Sami Frashëri” është një nga objektet arsimore në Kumanovë që ka pritur për më shumë se 20 vjet ndërtimin e një godine të re.
Burimi: lajmpress.org



