Papa Leoni XIV u përpoq sot të zbusë tensionet me presidentin amerikan, Donald Trump, duke thënë se disa nga deklaratat që kishte bërë së fundmi, ishin përgatitur javë më parë dhe se nuk ishte në interesin e tij të debatonte me Trump.
“Ka patur një lloj narrative që nuk ka qenë e saktë në të gjitha aspektet”, tha ai.
“Një takim lutjeje për paqen që mbajta disa ditë më parë, ishte përgatitur dy javë më parë – shumë përpara se presidenti Trump – të komentonte për mua dhe për mesazhin e paqes që po promovoj”, tha Papa, i lindur në Çikago.
Megjithatë, ai shtoi se deklaratat u interpretuan sikur Papa po përpiqej të debatonte kundër presidentit, gjë që nuk ishte aspak në interesin e tij.
Presidenti Trump dhe Papa Leoni XIV, së fundmi u përfshinë në një përplasje të ashpër deklaratash, duke u bërë lajm në mbarë botën.
Pas një sërë thirrjesh për paqe nga Vatikani, presidenti amerikan akuzoi Papën për një politikë të jashtme “të tmerrshme.”
Më pas, ai publikoi një imazh të krijuar nga inteligjenca artificiale ku paraqitej si Jezusi. Më vonë, Trump tha se imazhi e paraqiste atë si mjek.
“Nuk kam frikë nga administrata Trump”, tha Papa Leoni XIV në një reagim.
Më pas, pa përmendur politikanë të veçantë, ai foli për faktin se bota po shkatërrohej nga një grusht tiranësh.
Kreu i Kishës Katolike u tha sot gazetarëve, që udhëtonin me të në avion, se shumë nga ato që ishin shkruar kishin qenë më tepër, komente dhe përpjekje për të interpretuar atë që ishte thënë.
Papa Leoni XIV shtoi se synimi i tij mbetej përhapja e një mesazhi paqeje dhe drejtësie në botë.
Burimi: opinion.al


