Me rastin e hapjes së sezonit të gjuetisë, ministrja e Mjedisit, Fitore Pacolli, ka rikujtuar se gjuetia në Parqet Kombëtare “Bjeshkët e Nemuna” dhe “Sharri” është e ndaluar me ligj, duke paralajmëruar monitorim të shtuar për parandalimin e gjuetisë së kundërligjshme.
Përmes një postimi në Facebook, Pacolli ka bërë të ditur se territoret e këtyre dy parqeve kombëtare do të jenë nën mbikëqyrje, me qëllim të parandalimit të aktiviteteve të paligjshme të gjuetisë dhe mbrojtjes së faunës së egër.
Sipas ministres, monitorimi do të realizohet përmes rojeve të parqeve, dronëve, kamerave kurth dhe patrullimeve në terren.
Ajo ka bërë të ditur se kontrollet do të zhvillohen në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe organet e tjera kompetente, për të siguruar respektimin e ligjit dhe mbrojtjen e biodiversitetit në zonat e mbrojtura.
Pacolli ka rikujtuar se, ndonëse ka nisur sezoni i gjuetisë, ndalesa ligjore vazhdon të vlejë për territoret e Parqeve Kombëtare “Bjeshkët e Nemuna” dhe “Sharri”.
Burimi: botasot.info


