Ministrja në detyrë e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, reagoi ndaj deklaratës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për mundësinë e ndërhyrjes në resurset ujore dhe infrastrukturën që ndërlidhet me sistemin Ibër-Lepenc.
Ajo tha se deklarata është thellësisht shqetësuese dhe të papranueshme.
“Sipas Konventës së Helsinkit shtetet kanë detyrim të bashkëpunojnë për përdorimin e drejtë dhe të arsyeshëm të ujërave ndërkufitare, të parandalojnë dëmet ndërkufitare dhe të mbrojnë ekosistemet ujore. Resurset ujore nuk mund të përdoren si instrument kërcënimi, presioni apo destabilizimi ndaj një shteti tjetër.
Liqeni i Ujmanit dhe sistemi Ibër-Lepenc janë infrastrukturë kritike strategjike e Republikës së Kosovës. Ky sistem është jetik për furnizimin me ujë të pijshëm të qindra mijëra qytetarëve, për funksionimin e sektorit energjetik, për bujqësinë dhe për ekuilibrin mjedisor të një pjese të rëndësishme të vendit”, shkroi Pacolli.
Ajo tha se çdo deklaratë apo veprim që synon ndërhyrjen, dëmtimin, devijimin ose ndryshimin e njëanshëm të rrjedhave ujore dhe infrastrukturës ujore, me pasoja për Kosovën, nuk është çështje e politikës ditore. Theksoi se është çështje e sigurisë ujore, energjetike, mjedisore dhe njerëzore, dhe duhet të trajtohet me seriozitetin maksimal nga bashkësia ndërkombëtare.
“I bëjmë thirrje Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kombeve të Bashkuara dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë që të reagojnë ndaj deklaratave të tilla dhe të kërkojnë respektimin e plotë të parimeve dhe detyrimeve të së drejtës ndërkombëtare për ujërat ndërkufitare.
Republika e Kosovës do të mbrojë resurset e saj ujore, infrastrukturën kritike dhe interesin e qytetarëve të saj, në përputhje me Kushtetutën, ligjet e Republikës së Kosovës dhe parimet e së drejtës ndërkombëtare”, shtoi Pacolli.
Burimi: botasot.info


