Uria në botë pritet të përkeqësohet ndjeshëm gjatë gjashtë muajve të ardhshëm, ndërsa disa rajone të Afrikës rrezikojnë të përballen me kriza të rënda urie.
Paralajmërimi vjen nga dy agjenci të Kombeve të Bashkuara, të cilat theksojnë se shkurtimi i fondeve për ndihmat humanitare po i vështirëson përpjekjet për të parandaluar një katastrofë të mundshme.
Sipas raportit të përbashkët të Organizatës së OKB-së për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO) dhe Programit Botëror të Ushqimit (WFP), 16 zona në botë pritet të përballen me përkeqësim të sigurisë ushqimore gjatë periudhës dhjetor 2026 – maj 2027.
Situata më shqetësuese paraqitet në Sudan, Sudanin e Jugut, Somali, veriun e Nigerisë dhe Jemen. Këto vende po përballen me kriza të rënda, të nxitura nga konfliktet e armatosura, zhvendosja e popullsisë, vështirësitë ekonomike dhe kushtet ekstreme klimatike, raporton Reuters.
Krahasuar me raportin e publikuar në qershor, numri i zonave në rrezik është rritur nga 13 në 16. Listës i janë shtuar Çadi, Uganda, si dhe disa rajone të Afrikës Jugore dhe Amerikës Qendrore, ndërsa Libani nuk figuron më në të.
Agjencitë e OKB-së paralajmërojnë se reduktimi i financimit për ndihmat humanitare po dobëson ndjeshëm kapacitetet për të parandaluar përkeqësimin e krizës.
Conor Elliott, zyrtar i lartë në zyrën e FAO-s për emergjenca dhe qëndrueshmëri, bëri të ditur se ndihmat për pesë vendet me rrezikun më të lartë të urisë janë ulur me dy të tretat gjatë periudhës 2022–2025.
Sipas tij, shkurtimet financiare po pengojnë gjithashtu mbledhjen e të dhënave të nevojshme për të vlerësuar përmasat reale të krizës.
Raporti nënvizon se konfliktet dhe dhuna janë shkaktarët kryesorë të pasigurisë ushqimore në 12 nga 16 zonat e identifikuara. Ndërkohë, shtrenjtimi i ushqimeve, energjisë dhe transportit po ua vështirëson gjithnjë e më shumë familjeve sigurimin e produkteve bazë për jetesë.
Një tjetër faktor që mund ta rëndojë situatën është fenomeni klimatik El Niño, i cili pritet të sjellë thatësira dhe temperatura ekstreme në Afrikën Jugore dhe në disa pjesë të Amerikës Qendrore, si dhe përmbytje të mëdha në rajone të Afrikës Lindore.
Në Sudan, rreziku i një krize të rëndë urie mbetet i lartë në 13 zona të Darfurit Verior dhe Kordofanit Jugor deri në janar të vitit 2027. Luftimet e vazhdueshme po pengojnë prodhimin e ushqimit, funksionimin e tregjeve dhe shpërndarjen e ndihmave humanitare, duke përkeqësuar më tej gjendjen e popullsisë.
Burimi:TV21


