Organizata e Kombeve të Bashkuara ka shprehur shqetësim të thellë për shtypjen e dhunshme të protestave në Iran, duke theksuar se përdorimi i forcës vdekjeprurëse ndaj demonstruesve përbën shkelje të së drejtës ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.
Deklarata u bë nga zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Stéphane Dujarric, i cili, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në selinë e OKB-së, theksoi se Sekretari i Përgjithshëm ka qenë “shumë i qartë” në gjuhën e përdorur lidhur me zhvillimet në Iran, shtypjen dhe vrasjen e civilëve, duke e cilësuar situatën “jashtëzakonisht shqetësuese për Lindjen e Mesme”.
I pyetur nëse përdorimi i dhunës vdekjeprurëse ndaj protestuesve shkel të drejtën ndërkombëtare, Dujarric u përgjigj prerazi: “Po, e shkel.”
“Ekziston e drejta themelore e njerëzve për të protestuar paqësisht,” theksoi ai, duke shtuar se autoritetet e rendit kanë detyrimin të mbrojnë protestuesit paqësorë. “Zbatimi i ligjit duhet të mbrojë ata që duan të protestojnë paqësisht. Nëse ka dhunë, përdorimi i forcës duhet të jetë proporcional – diçka që nuk e kemi parë nga ajo që kemi ndjekur,” u shpreh zëdhënësi i OKB-së.
Sa i përket numrit të viktimave, Dujarric theksoi se për shkak të kufizimeve të rënda në aksesin në internet, nuk ka një shifër të konfirmuar, por nënvizoi se për OKB-në është e qartë se një numër civilësh kanë humbur jetën.
Ai bëri të ditur se strukturat e OKB-së për të drejtat e njeriut përdorin disa kanale informacioni dhe se komunikimi me partnerët në terren ka qenë i vështirë dhe i fragmentuar, por ka vijuar.
Dujarric konfirmoi gjithashtu se OKB ka prezencë në Iran, duke sqaruar se një pjesë e stafit punon nga shtëpia, ndërsa të gjithë janë të sigurt dhe të identifikuar.
Në planin politik, zëdhënësi i OKB-së shprehu shqetësim të madh për retorikën luftarake që po dëgjohet nga aktorë të ndryshëm lidhur me situatën në Iran, duke përsëritur thirrjen për dialog dhe shmangie të përshkallëzimit.
I pyetur për ndërhyrje të huaj, ai theksoi se OKB promovon dialogun dhe kërkon që iranianët që duan të protestojnë paqësisht të kenë mundësi ta bëjnë këtë, duke nënvizuar se Karta e OKB-së është shumë e qartë në këtë drejtim.
Në lidhje me sanksionet, Dujarric rikujtoi qëndrimin e kahershëm të OKB-së se ato shpesh dëmtojnë më shumë qytetarët sesa udhëheqësit, duke theksuar se çdo qeveri ka përgjegjësi për mirëqenien fizike dhe ekonomike të popullsisë së saj.
Megjithëse “askush nuk mund të parashikojë se çfarë do të ndodhë”, zëdhënësi i OKB-së theksoi se organizata mbetet e përkushtuar ndaj mbrojtjes së civilëve dhe respektimit të të drejtave themelore, mes trazirave që vazhdojnë në Iran.
Burimi: botasot.info


