Sistemi i kujdesit shëndetësor në Venezuelë po përballet me një presion të jashtëzakonshëm pothuajse një javë pas dy tërmeteve të fuqishme, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe agjencitë e Kombeve të Bashkuara paralajmërojnë për rrezikun në rritje të shpërthimeve të sëmundjeve infektive.
Sipas shifrave zyrtare të qeverisë venezueliane, numri i viktimave ka kaluar 1.700, ndërsa ekipet vendase dhe ndërkombëtare të kërkim-shpëtimit vazhdojnë të nxjerrin trupa dhe të mbijetuar nga rrënojat.
OBSH njoftoi se të paktën tre qendra shëndetësore janë dëmtuar rëndë, ndërsa gjashtë të tjera kanë pësuar dëmtime ose funksionojnë vetëm pjesërisht. Nga 21 institucionet shëndetësore të vlerësuara, shumica vazhdojnë të operojnë, por përballen me mbipopullim, mungesë personeli dhe rritje të konsiderueshme të rasteve që kërkojnë trajtim urgjent dhe ndërhyrje kirurgjikale.
Zëdhënësi i OBSH-së, Christian Lindmeier, deklaroi se sistemi shëndetësor, i dobësuar nga vite të tëra krize ekonomike dhe mungesë investimesh, po funksionon përtej kapaciteteve të tij. Ai tha se raportet paraprake tregojnë një ofrim kaotik të shërbimeve, fluks të pakontrolluar pacientësh dhe vonesa në trajtimet kirurgjikale.
Lindmeier shtoi se mungesa e personelit të specializuar, veçanërisht në shërbimet e kujdesit obstetrik në shtetin La Guaira, ka krijuar boshllëqe kritike në ofrimin e kujdesit shëndetësor.
Agjencitë e OKB-së shprehën gjithashtu shqetësim për gjendjen e mijëra personave të zhvendosur, të cilët po kalojnë ditë të tëra në ambiente të hapura, makina, parqe ose strehimore të mbipopulluara dhe me kushte të dobëta higjienike.
Sipas zëdhënëses së Agjencisë së OKB-së për Refugjatët (UNHCR), Carlotta Wolf, më shumë se 15.800 persona janë prekur nga tërmetet, një shifër që përfaqëson numrin zyrtar të të zhvendosurve. Ajo paralajmëroi se ky numër pritet të rritet dhe se shumë familje në La Guaira përballen edhe me mungesë të ushqimeve.
OBSH vlerëson se kushtet aktuale rrisin ndjeshëm rrezikun e shpërthimit të sëmundjeve të parandalueshme me vaksina, si fruthi, për shkak të mbulimit të ulët me imunizim, si dhe të sëmundjeve që transmetohen nga uji ose mushkonjat, përfshirë dengun, ethet e verdha dhe malarien.
Koordinatori rezident i OKB-së në Venezuelë, Gianluca Rampolla del Tindaro, tha se organizata vazhdon të mbështesë autoritetet vendase, ndërsa ka siguruar edhe 10.000 qese për trupat e viktimave. Ai theksoi se, megjithëse kanë kaluar më shumë se 72 orët kritike për gjetjen e të mbijetuarve, operacionet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë në zonat më të goditura.
Burimi: botasot.info


