Nvidia zyrtarisht prezantoi kartat e para grafike të serive RTX 50 ditën e djeshme në CES 2025. Pas disa muajsh spekulimesh dhe rrjedhjesh informacioni, gjenerata e ardhshme e kartave grafike RTX “Blackwell” janë zyrtarizuar dhe bëhet fjalë për katër modele.
CEO i Nvidia prezantoi RTX 5090, RTX 5080, RTX 5070 Ti dhe RTX 5070 të cilët kushtojnë 1,999 dollarë, 999 dollarë, 749 dollarë dhe 549 dollarë respektivisht. RTX 5090 dhe RTX 5080 dalin në shitje më 30 Janar ndërsa RTX 5070 Ti dhe RTX 5070 pasojnë në muajin Shkurt.
Kartat e reja RTX 50-Series vinë me një dizajn të ri për Edicionin Founders me vetëm dy ventilatorë, dhomë avullimi 3D dhe memorie GDDR7. Të gjitha modelet e kësaj serie kanë PCIe Gen 5 dhe përfshijnë lidhësit DisplayPort 2.1b për ekranet deri në 8K dhe 165Hz.
Çuditërisht RTX 5090 Edicioni Founders vjen zë dy fole dhe mund të montohet edhe në kompjuterët desktop me kasa të vogla. RTX 5090 ka 32GB memorie GDDR7, bandwidth memorie prej 1792GB/s dhe 21,760 bërthama CUDA.
Nvidia thotë se është dy herë më e shpejtë sesa RTX 4090 falë arkitekturës Blackwell dhe DLSS 4. Por ka një kosto dhe ajo është konsumi i energjisë për të cilin Nvidia thotë se RTX 5090 ka fuqi 575W dhe PSU të rekomanduar prej 1000W. Është 125W më i lartë sesa konsumi i RTX 4090.
Nvidia demonstroi Cyberpunk 2077 duke u luajtur në RTX 5090 me DLSS 4 në 238fps kundrejt 106fps në RTX 4090 dhe DLSS 3.5. Të dy kartat grafike kishin ray-tracing të aktivizuar gjatë testimit.
RTX 5080 është ndërtuar për të qenë gjithashtu dy herë më e shpejtë sesa RTX 4080. Përmban 16GB memorie GDDR7, bandwidth prej 960BS/s dhe 10,752 bërthama CUDA. RTX 5080 konsumon 360W ndërsa Nvidia rekomandon ushqyes prej 850W.
Së fundi Nvidia detajoi RTX 5070 Ti dhe RTX 5070. I pari përmban 16GB memorie GDDR7, bandwidth memorie prej 896GB/s dhe 8,960 bërthama CUDA. Karta e dytë ka 12GB memorie GDDR7, bandwidth memorie prej 672GB/s dhe 6,144 bërthama CUDA. RTX 5070 Ti konsumon 300W dhe Nvidia rekomandon ushqyes 750W ndërsa RTX 5070 konsumon 250W dhe Nvidia rekomandon ushqyes 650W. Kompania thotë se RTX 5070 Ti do të jetë dy herë më e shpejtë sesa RTX 4070 Ti dhe e njëjta vlen për RTX 5070 krahasuar me RTX 4070.
Në të njëjtën kohë Nvidia tha se do të sjellë RTX 50-Series tek laptopët me RTX 5090 që ka 24GB memorie GDDR7. RTX 5080 ka 16GB memorie GDDR7, RTX 5070 Ti ka 12GB GDDR7 dhe RTX 5070 ka vetëm 8GB memorie GDDR7. Seritë për laptopët do të jenë të disponueshme prej muajit Mars për prodhuesit e kompjuterëve.
Debutimet e kartave të reja grafike vinë dy vitie pas lançimit të RTX 4090 dhe RTX 4080 bazuar në arkitekturën Ada Lovelace. RTX 40-Series u përqendruan tek përmirësimi i ray-tracing dhe RTX 4090 solli përmirësime të mëdha krahasuar me RTX 3090. /PCWorld Albanian
BURIMI: PCWORLD.AL