Jay-Z i ka bërë një surprizë të veçantë bashkëshortes së tij, Beyonce, me rastin e 45-vjetorit të lindjes, duke e uruar publikisht gjatë koncertit të tij në Londër.
Të premten, më 4 shtator, reperi 56-vjeçar po performonte në Londër, si pjesë e serisë së koncerteve të tij të turneut JAŸ-Z 30, kur ndërpreu për pak çaste performancën për t’i dedikuar një moment të veçantë këngëtares.
Gjatë një pushimi mes këngëve, Jay-Z pyeti ekipin e produksionit nëse kishin “fotografinë” e Beyoncé-s për ta shfaqur në ekranet gjigante të stadiumit. Në momentin që kamera u fokusua te suita ku ndodhej këngëtarja, publiku shpërtheu në brohoritje.
Beyoncé u shfaq duke buzëqeshur, e rrethuar nga miqtë e saj, ndërsa me duar formoi simbolin karakteristik të Roc Nation, kompanisë së argëtimit dhe muzikës të themeluar nga Jay-Z.
Por surpriza nuk përfundoi aty.
Pak më vonë, Jay-Z nisi të këndonte “Happy Birthday”, ndërsa publiku iu bashkua. Në të njëjtin moment, qielli mbi stadium u ndriçua nga një spektakël fishekzjarresh, duke e kthyer urimin në një moment të veçantë për këngëtaren.
Beyoncé, e cila e ndiqte gjithçka nga suita, përshëndeti fansat, u dërgoi puthje dhe vazhdoi të buzëqeshte ndërsa shikonte fishekzjarrët në qiell. Në një moment, ajo u dëgjua duke thënë: “O Zot i madh”, e befasuar nga surpriza.
Edhe nëna e saj, Tina Knowles, e uroi publikisht Beyoncé-n përmes një postimi në Instagram, duke e cilësuar vajzën e saj të madhe si “një person të jashtëzakonshëm”.
“Edhe në të gjithë këtë zhurmë, ndonjëherë të tmerrshme, ti vazhdon dhe ecën përpara. Ti krijon, i do, i mbështet të tjerët, shkruan vazhdimisht histori dhe përdor atë mendje gjeniale tënde, duke punuar shumë, duke parë punën tënde dhe duke jetuar jetën tënde në maksimum. Gëzuar ditëlindjen, të dua”, shkroi ajo.
Momenti mes Jay-Z dhe Beyoncé u shpërnda me shpejtësi në rrjetet sociale, duke tërhequr vëmendjen e fansave të çiftit.
Burimi: botasot.info


