Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka mirëpritur marrëveshjen e arritur mes tetë subjekteve politike shqiptare në Luginën e Preshevës për krijimin e listës së përbashkët “Koalicioni Shqiptar” për zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit në Serbi.
Përmes një reagimi, Haxhiu e ka cilësuar bashkimin e subjekteve politike si një vendim të pjekur politik, duke theksuar se ai e vendos përfaqësimin e shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës mbi interesat partiake, përcjell “Bota sot”.
Ajo ka përmendur gjithashtu sfidat me të cilat, sipas saj, përballen shqiptarët në Serbi, përfshirë pasivizimin e adresave, mosnjohjen e diplomave dhe nënpërfaqësimin në institucionet publike.
Reagimi i plotë
Mirëpres marrëveshjen e arritur për krijimin e listës së përbashkët “Koalicioni Shqiptar” për zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit në Serbi.
Tetë subjekte politike të Luginës, me qëndrime dhe histori të ndryshme, u bashkuan rreth të njëjtit zotim. Ky është një vendim i pjekur politik, që e vendos përfaqësimin e shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës mbi çdo llogari partiake. I përgëzoj kryetarët e tyre që e bënë të mundur këtë marrëveshje.
Pesha e këtij bashkimi kuptohet më mirë kur kemi parasysh diskriminimin dhe shkeljet e të drejtave të shqiptarëve në Serbi. Këtu përfshihen pasivizimi i adresave, mosnjohja e diplomave dhe nënpërfaqësimi në institucionet publike. Po ashtu, kufizimet në arsim, përdorimin e gjuhës dhe simboleve, si dhe përjashtimi ekonomik.
Këto shkelje bien edhe më shumë në sy përballë garancive kushtetuese që gëzon komuniteti serb në Kosovë. Ai ka 10 ulëse të rezervuara në Kuvend, një nënkryetar të Kuvendit dhe së paku një ministër në Qeveri. Shqiptarët në Serbi, ndërkaq, nuk kanë ulëse të garantuara në parlament dhe përfaqësimi i tyre varet vetëm nga vota. Pasivizimi i adresave ua vështirëson edhe ushtrimin e së drejtës së votës. Serbia kërkon vazhdimisht të drejta shtesë për serbët në Kosovë, ndërkohë që shqiptarëve brenda kufijve të saj u mohon të drejtat themelore.
Në këto rrethana, bashkimi është i domosdoshëm. Ndarja e votave mund ta dobësojë përfaqësimin e Luginës, ndërsa një listë e përbashkët e forcon atë.
Si përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës, do të vazhdojmë ta ngremë zërin për të drejtat e shqiptarëve në Serbi. Do ta shtojmë edhe mbështetjen institucionale për ta.
Më 25 tetor, vota e secilit shqiptar të Luginës do të ketë peshë. Kandidatëve të listës së përbashkët u uroj suksese.
Burimi: botasot.info


