nje buton i fshehur ne makinen tuaj qe mund tju shpetoje ne momentin me kritik 68d481fa90686

Një buton i fshehur në makinën tuaj që mund t’ju shpëtojë në momentin më kritik

September 25, 2025
1 minut lexim

Ndërsa airbag-ët, ABS-ja dhe kontrolli elektronik i stabilitetit janë kthyer në standarde të njohura për shumicën e shoferëve, shumë veçori shpëtimtare të makinave mbeten të panjohura dhe të papërdorura.

Midis tyre, spikat butoni “SOS”, një sistem i thjeshtë që në raste emergjente mund të bëjë diferencën mes jetës dhe vdekjes.

Bëhet fjalë për eCall, një thirrje automatike emergjente e detyrueshme për të gjitha modelet e reja të makinave në Bashkimin Evropian që nga 31 marsi 2018.

Sistemi aktivizohet automatikisht në rast përplasjeje serioze – për shembull kur hapen airbag-ët – dhe krijon një telefonatë falas drejt numrit unik evropian të emergjencës 112, duke dërguar menjëherë edhe të dhëna jetike si: vendndodhjen GPS, kohën e aksidentit dhe drejtimin e udhëtimit.

Në të njëjtën kohë, eCall mund të përdoret manualisht duke shtypur butonin SOS, duke lejuar shoferin ose pasagjerët të thërrasin ndihmën edhe nëse nuk ka ndodhur një aksident direkt.

Kjo mund të jetë vendimtare në raste të tjera emergjente, si probleme shëndetësore të papritura apo kur gjendeni në një situatë të rrezikshme në rrugë.

Sistemi funksionon në të gjitha vendet e BE-së, pavarësisht se ku është regjistruar automjeti, dhe nuk ka nevojë për telefon celular.

Ekspertët theksojnë gjithashtu se eCall nuk ndjek lëvizjet e shoferit, pasi qëndron joaktiv derisa të ndodhë një përplasje ose të shtypet manualisht butoni SOS.

Butoni zakonisht ndodhet pranë pasqyrës së brendshme, shpesh i mbuluar për të shmangur shtypjen aksidentale.

Në çdo ndezje të motorit, sistemi kryen vetë-diagnostikim automatik, duke sinjalizuar përmes panelit të instrumenteve nëse ka një defekt.

Ekspertët e sigurisë rrugore këshillojnë shoferët që të njihen me vendndodhjen dhe funksionimin e këtij sistemi, pasi në momente kritike, ai mund të jetë ndihma më e shpejtë dhe më e sigurt që mund të keni në rrugë.

Burimi: botasot.info

VERO JUMBO MACEDONIA

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

mourinho i pandreqshem telashe qe ne ndeshjen e dyte te benfica 68d481138f70f
Lajmi i mëparshëm

Mourinho i pandreqshëm, telashe që në ndeshjen e dytë te Benfica

danimarke alarm tjeter per drone mbyllet aeroporti von der leyen rrezimi i avioneve ruse eshte nje opsion 68d48233d0807
Lajmi i radhës

Danimarkë, alarm tjetër për dronë: mbyllet aeroporti. Von der Leyen: “Rrëzimi i avionëve rusë është një opsion”

Të fundit nga

ShkoLartë