Analisti politik Arbnor Sadiku ka komentuar nismën e PDK-së lidhur me Gjykatën Speciale, duke thënë se Kuvendi i Kosovës mund të miratojë një rezolutë që shpreh mospajtimin institucional me vendimet e saj dhe me dënimin e krerëve të UÇK-së.
Sadiku ka vlerësuar se një rezolutë e tillë do të duhej të votohej me konsensus nga të gjitha partitë politike të përfaqësuara në Kuvend.
“Nëse Kosova nuk mund ta shfuqizojë Gjykatën Speciale, besoj se Kuvendi i Kosovës mund të miratojë një rezolutë që shpreh mospajtimin institucional me vendimet e saj dhe me dënimin e krerëve të UÇK-së, në emër të popullit të Kosovës.
Mbi të gjitha, kjo rezolutë do të duhej të votohej me konsensus nga të gjitha partitë politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës.
Një qëndrim i përbashkët do të përcillte një mesazh të qartë institucional, duke respektuar pavarësinë e drejtësisë dhe, njëkohësisht, duke kërkuar drejtësi të barabartë, proces të rregullt dhe respektimin e të drejtave të të akuzuarve”, ka thënë ai.
Burimi: botasot.info


