Një projekt i rëndësishëm infrastrukturor ka hyrë në fazën e realizimit në Komunën e Çairit, me nisjen e procedurave për ndërtimin e bulevardit modern “Mit’hat Frashëri”, i cili synon të përmirësojë qarkullimin dhe funksionalitetin urban në këtë zonë të Shkupit.
Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, së bashku me kryetarin e Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, kanë qëndruar në terren për t’u informuar nga afër mbi fillimin e projektit bazë për ndërtimin e bulevardit, në segmentin nga kryqëzimi me rrugën “Xhon Kenedi” deri te kryqëzimi me bulevardin “Bosna dhe Hercegovina”, në gjatësi prej 1.4 kilometrash.
“Një projekt i madh për Çairin po merr formë. Bulevardi modern ‘Mit’hat Frashëri’ po hyn në fazën e realizimit dhe shënon një hap të rëndësishëm drejt një infrastrukture më të rregullt dhe më funksionale për qytetarët,” theksoi Mexhiti.
Sipas tij, projekti parasheh zgjidhje moderne të komunikacionit, duke përfshirë katër korsi qarkullimi (nga dy në secilin drejtim), brez të gjelbër qendror për rritjen e sigurisë, shtigje për biçikleta në të dy drejtimet, trotuare për lëvizje të sigurt të këmbësorëve, gjelbërim mbrojtës anësor dhe hapësira të posaçme për ndalesa autobusi.
“Ky investim që financohet nga Qyteti i Shkupit, është vlerë e shtuar për Çairin. Përmirëson qarkullimin, rrit sigurinë dhe e afron komunën tonë me standardet e një qyteti modern, të gjelbër dhe funksional,” u shpreh ai.
Autoritetet lokale theksojnë se projekti synon të modernizojë rrjetin rrugor dhe të krijojë kushte më të mira për lëvizjen e qytetarëve, duke kontribuar në zhvillimin urban dhe përmirësimin e cilësisë së jetës në komunë.
Burimi: alfax.mk


