Një rrjet ndërkombëtar i trafikut të kokainës, me lidhje në disa vende të Evropës dhe me qendër të rëndësishme aktiviteti në Ballkan, është në fokus të një investigimi mediatik italian.
Në qendër është 44-vjeçari shqiptar Eneo Carka, i njohur edhe me nofkën “Napoleoni”, i cili dyshohet se ka krijuar lidhje të rëndësishme me organizata kriminale ndërkombëtare.
Sipas raportimit, Carka komunikon përmes sistemeve të sofistikuara, të cilat e bëjnë më të vështirë përgjimin e komunikimeve të tij.
Sipas hetuesve, ai ka transportuar sasi të mëdha kokaine në Belgjikë, Mbretërinë e Bashkuar dhe në rajonin e Ligurias në Itali, përfshirë qytetin e La Spezias.
Baza në Milano dhe lidhjet me rrjetet kriminale
Sipas hetimeve të përmendura në artikullin italian, Carka ka pasur mbështetje edhe në Milano, ku një bashkëkombës 46-vjeçar, dyshohet se ka qenë i përfshirë në pritjen e ngarkesave të kokainës dhe kryerjen e pagesave për drogën.
Raportimi thekson se Carka ka krijuar lidhje me grupe të ndryshme kriminale dhe se është një personazh me ndikim në rrjetet e trafikut ndërkombëtar të kokainës.
Ai flet shqip, anglisht, italisht dhe spanjisht, ndërsa sipas medias italiane, ka pasur kontakte edhe me figura të rëndësishme të trafikut të drogës në Amerikën Latine.
Dubai, strehë për personazhet e kërkuar nga drejtësia
Një tjetër element që nënvizohet në investigim është roli i Dubait si vendqëndrim për persona të dyshuar për përfshirje në krimin e organizuar ndërkombëtar.
Mes tyre përmendet edhe Sheval Muaremi, 49 vjeç, i konsideruar nga autoritetet si një prej figurave kryesore të klanit të Sarajit, në periferi të Shkupit. Ai dyshohet për vrasje, pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe trafikim të sasive të mëdha të kokainës.
Sipas artikullit, Muaremi jeton prej dy vitesh në Dubai, ku shfaqet edhe në rrjetet sociale. Mediat italiane theksojnë se mungesa e marrëveshjeve efektive për ekstradim mes Emirateve të Bashkuara Arabe dhe disa shteteve e ka bërë më të vështirë dorëzimin e personave të kërkuar nga drejtësia.
Rasti i Denis Matoshit dhe pasuria në Emirate
Në investigim përmendet edhe 37-vjeçari shqiptar Denis Matoshi alias Eldi Dizdari, i akuzuar për trafik droge dhe pastrim parash.
Vëmendje të veçantë merr edhe ish-bashkëshortja e tij, Suada Sherifi, ish-Miss Shqipëria. Sipas autoriteteve belge, ajo dyshohet se zotëron pasuri të paluajtshme në Emiratet e Bashkuara Arabe me vlerë rreth 17 milionë euro.
Në artikull thuhet se në Dubai ajo organizon festa luksoze në shoqërinë e partnerit të saj të ri./CorriereDellaSera
Burimi:TV21


