Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka publikuar thirrjen për realizimin e së drejtës për racion të subvencionuar studentor për vitin akademik 2026/2027 dhe i ka ftuar të gjithë studentët që i plotësojnë kushtet të aplikojnë.
Të drejtë aplikimi kanë shtetasit e Republikës së Maqedonisë së Veriut, studentët e rregullt të regjistruar në ciklin e parë, ciklin e dytë ose në studime të integruara në universitetet shtetërore dhe private, të cilët nuk kanë të ardhura mujore nga asnjë bazë më të larta se paga minimale neto në vend për vitin aktual.
Kandidatët duhet të aplikojnë në mënyrë elektronike në https://e-uslugi.mon.gov.mk/ dhe gjatë aplikimit duhet të plotësojnë formularët Aplikim për fitimin e së drejtës për racion të subvencionuar studentor dhe Deklaratë për saktësinë e të dhënave të paraqitura në aplikim, t’i nënshkruajnë dhe t’i bashkëngjisin aplikacionit elektronik.
Afati për aplikim për studentët aktualë, si dhe për personat që do të regjistrohen dhe do të fitojnë statusin e studentit në vitin akademik 2026/2027, është nga 26 deri më 31 gusht 2026.
Gjithashtu, duke filluar nga tetori, nga data 1 deri më 5 të çdo muaji, do të jetë i hapur afati për aplikim për studentët që nuk e kanë fituar të drejtën për racion të subvencionuar studentor përmes kësaj thirrjeje, ose të cilëve u ka përfunduar kjo e drejtë për shkak të mosplotësimit të ndonjërit prej kritereve, në momentin kur ata i plotësojnë sërish kushtet.
Të gjithë studentët që e kanë fituar të drejtën për racion studentor do të fillojnë t’i marrin mjetet në muajin pasues të muajit në të cilin kanë aplikuar për këtë të drejtë, njoftoi Ministria e Arsimit dhe Shkencës.
Racioni i subvencionuar studentor është mbështetje financiare prej 140 denarësh, të cilën studenti e merr nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës për blerjen e ushqimit të përgatitur.
Përfituesit kanë të drejtë ta përdorin këtë shërbim nga e hëna deri të shtunën. Nëse studenti nuk e shfrytëzon të drejtën për racion gjatë kësaj periudhe, shuma mbetet e disponueshme në llogarinë e tij deri në fund të javës, përkatësisht deri të shtunën.
E drejta për racion të subvencionuar studentor nuk mund të shfrytëzohet në periudhën nga 1 korriku deri më 1 tetor, si dhe gjatë festave shtetërore dhe ditëve jopune.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka lidhur marrëveshje me Sparkasse Bank AD Skopje për realizimin e pagesave për racionin e subvencionuar studentor. Studentët që do ta fitojnë këtë të drejtë do të duhet të lidhin marrëveshje me bankën për hapjen e një llogarie të veçantë, të lidhur me një kartelë pagese të dedikuar për racionin e subvencionuar studentor, pavarësisht nëse kanë qenë më parë klientë të kësaj banke.
Afati dhe mënyra e tërheqjes së kartelave do të publikohen më tej nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Sparkasse Bank.
Thirrja publike e Ministrisë përmban më shumë informacione mbi kushtet për përfitimin e së drejtës për racion të subvencionuar studentor dhe mënyrën e aplikimit. Për pyetjet që lidhen me aplikimin, Ministria ka siguruar mbështetje përmes Sektorit për standardin e nxënësve dhe studentëve, ndërsa mund të kontaktohet edhe përmes e-mailit: [email protected].
Burimi: alfax.mk


