netanyahu kerkon falje presidenciale per akuzat per korrupsion 692c6634670fd

Netanyahu kërkon falje presidenciale për akuzat për korrupsion

November 30, 2025
min lexim

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu,i kërkoi të dielën presidentit të vendit falje në gjyqin e tij për korrupsion, që po zgjat për vite të tëra, duke argumentuar se procedurat penale po pengonin aftësinë e tij për të qeverisur dhe se një falje presidenciale do të ishte e dobishme për Izraelin.

Netanyahu, kryeministri që ka shërbyer më gjatë në historinë e Izraelit, ka mohuar akuzat për ryshfet, mashtrim dhe shkelje të besimit. Avokatët e tij thanë në një letër drejtuar zyrës së presidentit se kryeministri ende beson se procedurat ligjore do të përfundojnë me një pafajësi të plotë.

“Avokatët e mi sot dërguan një kërkesë për falje te presidenti i vendit. Pres që kushdo që dëshiron të mirën e vendit të mbështesë këtë hap”, tha Netanyahu një video-adresim të shkurtër, të publikuar nga partia e tij politike, Likud.

Zyra e presidentit të Izraelit, Isaac Herzog njoftoi më herët gjatë së dielës se kanë pranuar kërkesën, duke e publikuar edhe letrën e avokatëve.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, këtë muaj i shkroi Herzogut, duke e nxitur të konsiderojë dhënien e faljes për kryeministrin, duke argumentuar se çështja kundër tij ishte “një ndjekje penale politike dhe e pajustifikuar”.

Zyra e Herzogut tha se kërkesa do t’i përcillet departamentit të faljeve në Ministrinë e Drejtësisë, sipas praktikës standarde, për të mbledhur opinione, të cilat më pas do t’i paraqiten këshilltarit ligjor të presidentit, i cili do të formulojë një rekomandim për presidentin.

Ministri izraelit i Drejtësisë, Yariv Levin, është anëtar i partisë Likud të Netanyahut dhe një aleat i ngushtë i kryeministrit.

Në letër, avokatët e Netanyahut argumentuan se procedurat penale kundër tij kanë thelluar ndarjet shoqërore dhe se përfundimi i gjyqit është i domosdoshëm për pajtim kombëtar. Ata shkruan gjithashtu se seancat gjyqësore gjithnjë e më të shpeshta janë bërë barrë, ndërkohë që kryeministri po përpiqet të qeverisë.

“Unë jam i detyruar të dëshmoj tre herë në javë… Kjo është një kërkesë e pamundur, e cila nuk u bëhet as qytetarëve të tjerë”, tha Netanyahu në video-mesazh, duke theksuar se ai e kishte marrë besimin e publikut duke fituar zgjedhjet vazhdimisht.

Në Izrael, falja tradicionalisht është dhënë vetëm pasi procedurat ligjore kanë përfunduar dhe i pandehuri është dënuar. Avokatët e Netanyahut argumentuan se presidenti mund të ndërhyjë kur është në rrezik interesi publik, si në këtë rast, me synimin për të shëruar ndasitë dhe për të forcuar unitetin kombëtar.

Lideri i opozitës, Yair Lapid, tha se Netanyahu nuk duhet të falet pa e pranuar fajin, pa shprehur pendesë dhe pa u tërhequr nga jeta politike.

Ndaj Netanyahut u ngritën akuza më 2019 në tre raste të ndara, por të lidhura mes tyre, që kanë në qendër akuzat se ai u ka dhënë favore figurave të njohura të biznesit në këmbim të dhuratave dhe mbulimit mediatik në favor të tij.

Kryeministri izraelit ka mohuar vazhdimisht çdo keqbërje.

Aleatët e koalicionit publikuan deklarata duke mbështetur kërkesën e Netanyahut për falje, përfshirë ministrin e Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, dhe ministrin e Financave, Bezalel Smotrich.

Politikani i opozitës, Yair Golan, një ish-nënkryetar i shtabit të ushtrisë, i bëri thirrje kryeministrit të japë dorëheqjen, duke i kërkuar presidentit të mos e falë.

Netanyahu është një nga figurat më polarizuese politike të Izraelit, i cili u zgjodh për herë të parë kryeministër në vitin 1996. Që atëherë ai ka shërbyer si në qeveri, por ka qenë edhe në opozitë. Ai u rikthye në zyrën e kryeministrit pas zgjedhjeve të vitit 2022.

Zgjedhjet e ardhshme pritet të mbahen deri në tetor të vitit 2026, dhe shumë sondazhe tregojnë se koalicioni i tij, më i djathti në historinë e Izraelit, do ta kishte të vështirë të fitojë mjaftueshëm vende në Parlament për të formuar një ekzekutiv.

Burimi: botasot.info

VERO JUMBO MACEDONIA

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

the guardian evropa po humbet me shpejtesi ujin e embel 692c65f31c58b
Lajmi i mëparshëm

“The Guardian”: Evropa po humbet me shpejtësi ujin e ëmbël

teoria e kaosit ja si i justifikojne ekspertet ruse veprimet e putinit dhe kremlinit 5 shtyllat ku bazohet makina e propagandes se moskes 692c67e56e85c
Lajmi i radhës

“Teoria e Kaosit”/ Ja si i justifikojnë ekspertët rusë veprimet e Putinit dhe Kremlinit, 5 shtyllat ku bazohet makina e propagandës së Moskës

Të fundit nga

ShkoLartë