Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu doli herët të mërkurën para mbështetësve të tij në selinë zgjedhore të Likudit në Jerusalem. Ai deklaroi se blloku i së djathtës ka fituar një “shumicë vendimtare” në zgjedhjet parlamentare dhe se synon të formojë një qeveri të djathtë kombëtare.
Netanyahu, i cili kishte heshtur për disa orë pas publikimit të exit poll-eve të para, shpalli Likudin partinë më të madhe në Izrael, mes brohoritjeve të mbështetësve. Megjithatë, ai theksoi se ende po pritet shpallja e rezultateve të vërteta, transmeton “Bota sot”.
Në fjalimin e tij, me zë të ngjirur, Netanyahu sulmoi mediat që kishin parashikuar një rezultat të dobët për Likudin. Ai rikujtoi gjithashtu arritjet e Izraelit në luftërat që nga sulmi i Hamasit i 7 tetorit 2023.
“Irani është më i dobët se kurrë, Izraeli është më i fortë se kurrë”, deklaroi Netanyahu. Ai shtoi se Izraeli, së bashku me presidentin amerikan Donald Trump, do t’i japë fund njëherë e përgjithmonë kërcënimit iranian. Netanyahu falënderoi aktivistët dhe deputetët e Likudit, por nuk përmendi rivalin e tij kryesor, Gadi Eisenkot, as partitë arabe.
Kanali 12: blloku i Netanyahut del përpara
Fjalimi i Netanyahut erdhi pasi exit poll-et e rishikuara gjatë natës e kishin ndryshuar pamjen e garës. Kanali 12 e përditësoi sondazhin e tij, duke i dhënë bllokut pro-Netanyahu 52 mandate, nga 50 sa kishte në sondazhin e parë. Blloku i opozitës ra nga 52 në 49 mandate, ndërsa Lista e Përbashkët dhe Ra’am marrin së bashku 19 mandate.
Sipas sondazhit të rishikuar, Likudi u ngjit nga 24 në 27 mandate, ndërsa partia Yashar e Eisenkot ra nga 22 në 21. Edhe Kanali 13 tregon tashmë barazim mes dy blloqeve, me nga 51 mandate secili.
Pavarësisht deklaratës së Netanyahut për shumicë vendimtare, asnjë nga sondazhet kryesore nuk i jep bllokut të tij 61 mandatet e nevojshme për të formuar qeveri në Knesetin me 120 ulëse. Pak orë më parë, Eisenkot, Naftali Bennett dhe Yair Lapid kishin shpallur humbjen e Netanyahut, bazuar në sondazhet e para.
Numërimi i votave vazhdon dhe mund të zgjasë deri të premten, ndërsa rezultatet zyrtare duhet të shpallen deri më 4 nëntor.
Burimi: botasot.info

