Ndërsa temperaturat në Ukrainë zbresin deri në –20°C dhe i ftohti ekstrem paralizon qytetet, një gjest i thjeshtë po bëhet shpresë për qentë dhe macet e mbetura në rrugë: dyqanet po hapin dyert për t’i strehuar. Ky solidaritet nuk është vetëm reagim ndaj acarit, por vjen mbi sfondin e një krize të thellë të mirëqenies së kafshëve, e cila nisi me shpërthimin e luftës.
Lufta shkaktoi braktisjen masive të mijëra kafshëve shtëpiake, shumë prej të cilave nuk janë të afta të mbijetojnë në rrugë. Të traumatizuara nga shpërthimet, të plagosura apo të uritura, ato u shtuan radhëve të një popullate tashmë të madhe të kafshëve endacake.
Në disa zona, edhe shërbimet veterinare u ndërprenë, duke sjellë shpërthime të tërbimit mes endacakëve dhe rrezik për komunitetin. Ndërkohë, ushtarët në vijën e frontit shpesh bëhen shpëtimtarët e tyre të parë, duke adoptuar qentë dhe macet që gjejnë në llogore — jo vetëm për shoqëri, por edhe për kontroll të brejtësve.
Në këtë realitet dramatik, gjesti i pronarëve të dyqaneve merr një peshë të jashtëzakonshme. Hapja e derës për një kafshë e cila dridhet nga acari nuk është më thjesht një akt mirësie por është një ndihmë jetike për qindra mijëra krijesa që lufta i ka lënë të pambrojtura.Organizata si FOUR PAWS International vazhdojnë të ofrojnë ndihmë, por në ditë si këto, ku çdo gradë nxehtësie mund të shpëtojë jetë, çdo dyqan i vogël që hap dyert kthehet në një strehë shpëtimi.
Burimi: botasot.info


