Ndryshimet në ligjin për sportin, reagon FSHSU: KOKSH merr kompetencat e federatës, të ndalet centralizimi
Federata Shqiptare e Sportit Universitar ka dalë më një reagim zyrtar në lidhje me ndryshimet e miratuara në ligjin nr. 79/2017
“Për sportin”. FSHSU deklaron se ndryshimet e miratuara, veçanërisht dispozitat që i japin Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar kompetenca në organizimin e aktiviteteve sportive, cenojnë kompetencat e kësaj federate si autoriteti ligjor dhe praktik në zhvillimin dhe administrimin e sportit universitar në Shqipëri.
“SPORTI UNIVERSITAR
Më poshtë ju pasqyrojmë qëndrimin e plotë të Federatës Shqiptare të Sportit Universitar.
DEKLARATA NGA FSHSU – “Mbi ndryshimet e miratuara në ligjin nr. 79/2017 “Për sportin”. Federata Shqiptare e Sportit Universitar (FSHSU) shpreh keqardhjen dhe kundërshtimin e saj të qartë ndaj ndryshimeve të miratuara në ligjin “Për sportin”, të cilat prekin drejtpërdrejt strukturën dhe funksionimin e sportit universitar në vend.
Ndryshimet e miratuara, veçanërisht dispozitat që i japin Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH) kompetenca në organizimin e aktiviteteve jashtë procesit mësimor në bashkëpunim me institucionet shtetërore (referuar nenit 6, pika 4/1 e projektligjit), përbëjnë një cenim të qartë të kompetencave të deritanishme të FSHSU-së si autoriteti ligjor dhe praktik në zhvillimin dhe administrimin e sportit universitar në Shqipëri. Procesi i miratimit të këtyre ndryshimeve është zhvilluar pa një konsultim real me FSHSU-në, pavarësisht se ndikimi mbi sportin universitar është thelbësor.
Ne nuk jemi ftuar për mendim, diskutim apo analizë për këto ndryshime që, në mënyrë tërthore, çojnë drejt shuarjes de facto të federatës sonë si strukturë funksionale, duke ia deleguar kompetencat një institucioni që nuk ka as kapacitetin dhe as përvojën për të zhvilluar sport në nivel universitar. Sporti universitar ka specifika dhe nevoja të veçanta që nuk mund të përfshihen në mënyrë formale brenda një strukture të gjerë si KOKSH.
Përvoja e vendeve të Bashkimit Evropian tregon se sporti universitar është sektor i organizuar më vete, i lidhur ngushtë me arsimin e lartë dhe me një qasje zhvillimore që kombinon formimin fizik me përgatitjen akademike. Në këtë frymë, FSHSU bën thirrje që të rishikohet urgjentisht ky ligj, të ndalet centralizimi i sportit në një strukturë e vetme dhe të respektohet parimi i specializimit dhe vetëqeverisjes në sport. Ne mbetemi të hapur për një reformë reale dhe gjithëpërfshirëse në sport, por nuk mund të pranojmë që ajo të ndodhë përmes mohimit të rolit dhe ekzistencës së federatave që për vite me radhë kanë kontribuar në edukimin sportiv të brezave të rinj”.
Burimi: botasot.info