Kreu i partisë Mundësia, Agron Shehaj ka kërkuar interpelancë me kryeministrin Edi Rama për aksionin e prishjes së ndërtimeve pa leje si dhe me ministren e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku për koncesionin e rrugës Thumanë-Kashar.
Në shkresën drejtuar kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi Shehaj kërkon të dijë kriteret që janë ndjekur për përzgjedhjen e ndërtesave të shembura deri më tani.
“Duke pasur parasysh numrin e madh të ndërtimeve pa leje si dhe duke pasur parasysh prishjet e ndodhura në muajt e fundit, dëshiroj të di se cilat janë kriteret që janë ndjekur për përzgjedhjen e ndërtesave të shembura, si në zonën e Thethit, bregdetit dhe gjithë territorit? Mbetem në pritje të caktimit të datës së interpelancës në përputhje me afatet e përcaktuara në Kushtetutën e Shqipërisë dhe Rregulloren e Kuvendit”, thuhet në kërkesë.
Ndërkohë që në kërkesën tjetër për interpelancë me Ballukun, Shehaj kërkon përgjigje sa i takon kohëzgjatjes së koncesionit për rrugën Thumanë-Kashar dhe nëse ky model do të përdoret në raste të tjera.
“A ka llogaritur ministria juaj se cili është raporti mes investimit dhe fitimit të kompanisë përgjatë 35 viteve të operimit të aksit Thumanë- Kashar? Cila është arsyeja e zgjatjes së këtij koncensioni, nga 13 vjet i kërkuar nga oferta e pakërkuar, në 35 vite nga ana e Qeverisë? A do të përdorni të njëjtin model me akset e tjera, nga Kashari në Fier apо Thumanë-Balldren”, thotë Shehaj në kërkesën drejtuar Kuvendit.
Burimi: botasot.info


