ndalohen punonjes te postes se serbise ne veriun e kosoves per shperndarje te paligjshme te dergesave 69d53f36563a2

Ndalohen punonjës të Postës së Serbisë në veriun e Kosovës për “shpërndarje të paligjshme” të dërgesave

April 7, 2026
min lexim

Policia e Kosovës ka ndaluar dy persona në Mitrovicën e Veriut, nën dyshimin se, si punonjës të Postës së Serbisë, kanë shpërndarë në mënyrë “të paligjshme” dërgesa postare.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, tha për Radion Evropa e Lirë se këta persona janë ndaluar pas një njoftimi se po shpërndanin letra.

“Morëm informacion se kishin dërgesa postare me vete, kryesisht bëhej fjalë për vendime nga gjykatat [e Serbisë]. Kjo është e paligjshme për Kosovën, letrat gjyqësore duhet të arrijnë përmes Ministrisë së Drejtësisë”, tha Elshani.

Ai shtoi se të ndaluarit janë liruar pas marrjes në pyetje dhe se me këtë rast tani po merret Departamenti për Krime Ekonomike.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar për koment Postës së Serbisë dhe po pret përgjigje.

Institucionet e Serbisë në Kosovë konsiderohen nga autoritetet e Kosovës si paralele dhe të paligjshme, ndërsa mbyllja e tyre ka nisur në fillim të vitit 2024, pavarësisht kritikave të bashkësisë ndërkombëtare se fillimisht duhej të gjendej një zgjidhje alternative për ofrimin e shërbimeve për qytetarët, të cilët kryesisht vijnë nga radhët e komunitetit serb.

Për shembull, serbët nga Kosova marrin të ardhura të ndryshme nga buxheti i Serbisë, disa prej të cilave u janë paguar në sportelet e Postës së Serbisë, si shtesat për fëmijë ose për lehonat, pensionet, ndihma sociale dhe të ngjashme.

Radio Evropa e Lirë në fillim të vitit 2025 ka publikuar edhe rrëfimin e një punonjësi në një nga institucionet e Serbisë, i cili ka deklaruar se disa ditë në javë punon edhe nga shtëpia, nga Kosova.

Përveç Postës së Serbisë, gjatë dy vjetëve të fundit janë mbyllur edhe Banka Postare e Kursimeve, Banka Kombëtare e Serbisë, drejtoritë e Fondit për Sigurime Pensionale dhe Invalidore, qendrat për punë sociale, ndërmarrjet komunale publike, organet e përkohshme komunale dhe shumë institucione të tjera.

Beogradi zyrtar refuzon t’i mbyllë këto institucione, dhe shumicën i ka zhvendosur në zonat kufitare brenda territorit të Serbisë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar më parë se me mbylljen e institucioneve serbe në Kosovë rreth 5.800 persona kanë mbetur pa vendet e tyre të punës, por se ata do të vazhdojnë të marrin pagat.

Burimi: botasot.info

VERO JUMBO MACEDONIA

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

IDEAL FILMS

shtepia e bardhe mohon planet per te perdorur arme berthamore ne iran 69d53e463e328
Lajmi i mëparshëm

Shtëpia e Bardhë mohon planet për të përdorur armë bërthamore në Iran

ministri salla ne takim me blegtoret rritje fondesh per blegtorine dhe forcim i kontrolleve per sigurine ushqimore 69d5401e0f300
Lajmi i radhës

Ministri Salla në takim me blegtorët: Rritje fondesh për blegtorinë dhe forcim i kontrolleve për sigurinë ushqimore

Të fundit nga

ShkoLartë