mungese barnash ne mjekimin intensiv uka jane te domosdoshme 6af8174ec0721

​Mungesë barnash në Mjekimin Intensiv, Uka: Janë të domosdoshme

November 14, 2026
min lexim

Mjekimi Qendror Intensiv në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) po përballet me mungesë të disa barnave të domosdoshme për trajtimin e pacientëve.

Shefi i këtij reparti, Shaqir Uka, thotë se muajve të fundit ka pasur ngecje në furnizim, përfshirë edhe barna nga Lista Esenciale.

Për KosovaPress, Uka ka deklaruar se mungesa e këtyre medikamenteve paraqet shqetësim, pasi ato janë të nevojshme për trajtimin e pacientëve në gjendje kritike.

“Ne kemi pasur dhe vazhdojmë të kemi mungesë të disa barnave, qoftë të Listës Esenciale, qoftë jashtë saj, të cilat janë të domosdoshme dhe të nevojshme për trajtimin e pacientëve dhe për të shpëtuar jetë. Kjo pastaj, nëse ndalemi dhe e analizojmë, e merr peshën e vet, të cilën fatkeqësisht nuk po mundemi ta tejkalojmë”, ka deklaruar Uka.

Ai ka theksuar se çdo pacient që pranohet në Mjekimin Qendror Intensiv duhet të marrë trajtimin e nevojshëm, pavarësisht moshës, nacionalitetit apo shtetësisë.

Sipas tij, në këtë repart trajtohen edhe pacientë nga vendet e rajonit dhe shtete të tjera, veçanërisht gjatë verës, kur qytetarët e huaj mund të pësojnë aksidente apo probleme shëndetësore gjatë qëndrimit në Kosovë.

“Ne konsiderojmë që secili ka të drejtë të marrë trajtimin për shpëtimin e jetës së tij dhe këtu nuk ka dhe nuk duhet të ketë kurrfarë pazari”, është shprehur Uka.

Megjithatë, ai ka bërë të ditur se, pavarësisht mungesës së disa medikamenteve, reparti në përgjithësi është i furnizuar me shumicën e barnave dhe materialeve mjekësore.

Uka ka thënë se ngecjet e muajve të fundit mund të lidhen me procedura të ndryshme, ndërsa nuk ka përcaktuar përgjegjësinë për situatën e krijuar.

“Në 99% ne jemi të furnizuar me barnat që pacientët tanë kanë nevojë t’i marrin, me materialin tonë mjekësor që pacientët tanë kanë nevojë ta marrin. Mirëpo, e shohim që muajt e fundit ka pasur ngecje në furnizim për shkak të procedurave të ndryshme. Tash, a janë politike, a janë mungesa e Qeverisë, mungesa e buxhetit apo mungesa e të hollave”, ka deklaruar ai.

Shefi i Mjekimit Qendror Intensiv ka treguar se, në rastet kur një bar i domosdoshëm nuk gjendet në repart apo në barnatoren qendrore të QKUK-së, mjekët detyrohen t’ua përshkruajnë familjarëve për ta siguruar jashtë institucionit.

“Nëse një pacient ka nevojë ta marrë një ilaç për shpëtimin e jetës së tij, ne jemi të detyruar që, nëse nuk ka në Qendrën Klinike apo në barnatoren qendrore, atë bar t’ia përshkruajmë familjarit që ai pastaj të mund ta sigurojë”, ka theksuar Uka.

Ai ka nënvizuar se pavarësisht problemeve me furnizimin, prioritet i personelit shëndetësor mbetet trajtimi i pacientëve dhe shpëtimi i jetëve.

Sipas tij, sigurimi i vazhdueshëm i barnave dhe materialeve mjekësore është i domosdoshëm për funksionimin e repartit dhe trajtimin e pacientëve në gjendje kritike.

Burimi: botasot.info

VERO

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

bllokimi i fluturimeve ne shba sekretari i sigurise zgjidhja do te kerkoje kohe te gjithe jane te sigurt 6af7df40de44b
Lajmi i mëparshëm

Bllokimi i fluturimeve në SHBA, Sekretari i Sigurisë: Zgjidhja do të kërkojë kohë, të gjithë janë të sigurt

pas defektit ne rrjetin e furnizimit rikthehet uji ne korce 6af8177c4a06b
Lajmi i radhës

Pas defektit në rrjetin e furnizimit, rikthehet uji në Korçë

Të fundit nga

ShkoLartë