Aktori Laert Vasili ka folur për herë të parë publikisht pas incidentit që çoi në përjashtimin e tij nga programi Për’puthen. Në një intervistë për ABC e Mëngjesit, ai pranoi se situata ndodhi në mënyrë të papritur dhe se nuk ka një shpjegim të qartë për atë moment, duke shtuar se veprimi i tij solli reagime të forta.
“Kam përshtypjen se ishte problemi se ishte puthja mashkull me femër se dy femra janë puthur në emision dhe nuk janë shqetësuar. Halli është se nuk duhet të puthja njeri unë. Kam përshtypjen do jetë ndonjë shumë i dashuruar me mua atje. Kështu më erdhi, nuk bërë ndonjë hata. Kam vënë dorën aty dhe asnjë gjë, pastaj qeshën ka dhe duarttrokitje.”
Puthja ndaj një konkurrenteje u kthye menjëherë në temë debati publik, ndërsa Vasili tha se pas transmetimit është përballur me një valë kritikash, por edhe me kërcënime personale. Ai e përshkroi periudhën e fundit si shumë të rëndë psikologjikisht, për shkak të presionit të madh si në internet ashtu edhe në jetën e përditshme.
“Kokë e falur nuk pritet. Pasi vajza tha “po unë e pranoj ndjesën e Laertit” shoqja Lenka mori pozicion dhe tha “ne distancohemi, promovojmë vlerat. Pra unë qekam një antivlerë edhe mu duk vetja si plehrë. Pashë disa komente që thoshin “pedofil” po ajo është 30-vjeç si dal unë pedofil? Ne përdorim fjalë që nuk i dimë.”
Sipas aktorit, askush nuk është i pagabueshëm dhe gabimet janë pjesë e jetës, por ato duhen pranuar. Ai tha se e konsideron largimin nga programi si një pasojë të kuptueshme dhe kërkoi ndjesë publike nëse veprimi i tij ka lënduar apo ka cenuar dinjitetin e vajzës së përfshirë.
Pas eksperiencës në Big Brother VIP Albania dhe polemikave të fundit, Vasili theksoi se dëshiron të rikthehet te puna artistike. Ai solli si shembull suksesin e shfaqjes teatrore Si ta doni, e cila, sipas tij, u prit shumë mirë nga publiku dhe pati sallë të mbushur.
Në fund, aktori u shpreh se teatri mbetet prioriteti dhe pasioni i tij kryesor, duke theksuar se aty ndjehet më i plotësuar si artist dhe si njeri.
Burimi: botasot.info


