Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar pas zhvillimeve të fundit politike në vend, pas dështimit për të zgjedhur presidentin. Sipas tij, “mbrëmë ka fituar Kushtetuta dhe ligji përballë populizmit”.
Sipas tij, kjo ngjarje përfaqëson një fitore të vetëdijes qytetare dhe të rezistencës së opinionit publik dhe faktorëve politikë, të cilët, siç u shpreh ai, nuk lejuan cenimin e rendit kushtetues dhe politik të Kosovës.
Ai deklaroi se është konfirmuar parimi se asnjë individ apo subjekt politik nuk mund ta rrezikojë ekzistencën e shtetit. Duke iu referuar periudhës së fundit qeverisëse, ai theksoi se Kosova ka humbur gjashtë vite, por se nga tani fillon një etapë e re për vendin.
Në reagimin e tij, kryetari i AAK-së tha se është përmbysur “koncepti i partisë-shtet”, duke shtuar se përpjekjet për përqendrim të pushtetit tek një individ kanë dështuar.
Tutje, ai nënvizoi se tashmë vendimmarrja i rikthehet sovranit – qytetarëve të Kosovës, të cilët, sipas tij, “mbajnë mend dhe nuk falin”.
Kryetari i Aleancës shtoi se subjekti që ai drejton ka qenë i gatshëm për bashkëpunim dhe ka vepruar me përgjegjësi për tejkalimin e krizës politike, ndërsa akuzoi palët e tjera për, siç tha ai, “dehje nga pushteti duke harruar shtetin”.
Burimi: botasot.info


