Komisioni Parlamentar për Ekonominë, Punësimin dhe Financat miratoi marrëveshjen e huas me KfW Frankfurt am Main për programin “Infrastruktura Bashkiake V – Faza II”.
Zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enkelejda Muçaj bëri të ditur se programi parashikon një kredi prej 47 milionë eurosh dhe një grant prej 3 milionë eurosh, që do të përdoren për investime në qytetet e Shkodrës, Lezhës dhe Sarandës.
Fondet do të shfrytëzohen për rehabilitimin e rrjeteve të kanalizimeve dhe zgjerimin e impianteve të trajtimit të ujërave të ndotura, duke synuar përmirësimin e shërbimit me ujë të pijshëm dhe mbrojtjen e mjedisit në këto komunitete.
Programi zbatohet në katër faza kryesore, që përfshijnë: masat për furnizimin me ujë, rehabilitimin dhe zgjerimin e sistemeve të kanalizimeve, përmirësimin e impianteve të trajtimit të ujërave të ndotura dhe mbështetjen me konsulentë të veçantë për zbatimin e projektit.
Investimet pritet të kontribuojnë në përmirësimin e situatës së furnizimit me ujë të pijshëm, grumbullimit dhe trajtimit të ujërave të ndotura në bashkitë përfshirë, si dhe në rritjen e performancës së shoqërive të ujësjellës kanalizimeve.
Afati i parashikuar për zbatimin e programit është deri më 31 dhjetor 2032.
Burimi: botasot.info


